Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell deklaroi sot se më shumë se gjysma e rezervave të bankës qendrore të Rusisë do të bllokohen si pjesë e sanksioneve të reja të BE-së kundër vendit.
Duke folur së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen në Bruksel, Borrell tha sot se do të sigurojë miratimin politik të 27 vendeve anëtare të BE-së për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë.
Ndryshe, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Layen tha sot më herët se BE-ja po mbyll hapësirën e saj ajrore për avionët rusë, duke ndaluar mediat shtetërore ruse në territorin e saj dhe duke vendosur sanksione të reja ndaj Bjellorusisë.
Sipas saj, BE synon të fillojë furnizimin me armë në Ukrainë dhe se makineria mediatike e Kremlinit do të ndalohet në BE.
“Mediat shtetërore Russia Today dhe Sputnik dhe bashkëpunëtorët e tyre nuk do të jenë më në gjendje të përhapin gënjeshtrat e tyre për të justifikuar luftën e Putinit”, tha Von der Layen, duke vënë në dukje se KE po zhvillonte mjete për të ndaluar dezinformatat e tyre toksike dhe të dëmshme në Evropë.
Ajo njoftoi gjithashtu se një paketë e re veprimesh po përgatitet për agresorin e dytë në këtë luftë – regjimin e Aleksandër Lukashenkos në Bjellorusi. Siç shpjegoi ajo, sanksionet e reja do të prekin sektorët më të rëndësishëm të Bjellorusisë.
Sipas njoftimit të saj, BE-ja do të fillojë furnizimin me armë për Ukrainën, që është hera e parë në histori që BE vendos për një lëvizje të tillë.