Kina njoftoi se do t’i dhurojë Katarit dy panda gjigante me rastin e Kupës së Botës në futboll, që do të mbahet në vendin e Gjirit nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor.
“Është një dhuratë nga 1.4 miliardë kinezë me rastin e Kupës së Botës në Katar dhe me siguri do të bëhet një simbol i ri i miqësisë Kinë-Katar”, tha ambasadori kinez në Doha, Zhou Jian.
Pandat Suhail dhe Soraya do të mbërrijnë në Katar në tetor, pak para fillimit të turneut.
Suhail është emri i një prej yjeve më të shndritshëm që mund të shihet në Gji, ndërsa Soraya është emri arab për grupin yjor Plejada.
Kina, vendi më i populluar i planetit, nuk u kualifikua në Kupën e Botës, por kompanitë kineze morën pjesë në ndërtimin e objekteve për garën.