Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të dëgjojnë, më 18 janar të vitit të ardhshëm, ish-presidentin e gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, i cili është shprehur i gatshëm të dëshmojë në Kuvendin e Kosovës për, siç ka thënë ai, shkeljet që janë bërë gjatë gjykimeve nga ana e EULEX-it në Kosovë.
Kjo është vendosur në mbledhjen e sotme, që e mbajti Komisioni për Legjislacion, pasi që Malcolm Simmons u dha atyre disa data, kur ai është i gatshëm të marrë pjesë. Seanca dëgjimore do të fillojë me 18 janar dhe mund të zgjasë tutje.
Ish-gjyqtar i EULEX-it u kishte dërguar letër deputetëve të këtij komisioni duke kërkuar nga ta që ta thërrasin në raportim lidhur me informacionet që ai ka mbledhur.
Ishte deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala ai i cili kërkoi që seanca dëgjimore të mbahet qysh në datën e parë të propozuar nga Simmons, më 15 dhjetor të këtij viti.
“Për shkak të interesit publik të kësaj çështje, mendoj që ne si komision sot të vendosim që sa më shpejtë që është e mundur, në datën e parë të propozuar nga zoti Simmons të japë dëshmi para komisionit e që është data 15 dhjetor. Çdo shtyrje e kësaj date do të pasojë me atë që e ka thënë edhe zoti Simmons se institucionet e tjera, duke mos dashur t’u përmend emrin, kanë me tentu që të sabotojnë dhe pamundësojnë një dëshmi jashtëzakonisht shumë të rëndësishme për Kosovën, për qytetarët e saj”, ka thënë Shala.
Por, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që kjo të bëhet nga data 13 janar e tutje, për shkak të angazhimeve që kanë si grup parlamentar, dhe përgatitjeve që duhet t’i bëjnë për këtë seancë.
Deputetët vendosën që seanca të fillojë më 18 janar 2021, në mënyrë që të gjithë deputetët e Komisionit për Legjislacion të jenë prezent në seancë./UBTNews