UBT News

​Mbyllet për medie seanca ku po gjykohet ministrja Hajdari

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur seanca gjyqësore ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari për aksidentin ku kishte goditur me veturë një fëmijë.

Me kërkesë të avokatit të ministres, Shemdi Bunjaku, seanca po vazhdon të mbahet e mbyllur për media, pasi sipas tij kjo seancë ka të bëjë me rastin e aksidentit me të mitur.

“Në bazë të ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, neni 39 paragrafi 4, kemi detyrim ligjor që kjo seancë të mbahet e mbyllur. Përveç kësaj me deklarimin e palës së dëmtuar nga i autorizuari i saj dëklarimi të cilin u dëgjua në këtë seancë është kundërthënës mes veti nga fillimi deri në përfundimin e saj. Prandaj, kërkoj nga Gjykata ta respektojë ligjin për mbrojtjen e fëmijëve”, tha ai.

Ndonëse me këtë kërkesë nuk u pajtua avokati i palës së dëmtuar, Florim Shefqeti. Teksa shtoi se kjo lëndë është zvarritur për shqyrtim.

“Konsiderojmë se duke pasur parasysh që kjo lëndë ishte zvarritur për nëntë muaj për nxjerrjen e ekspertizës, rrjedhimisht kërkesa për mbylljen e seancës nuk është e bazuar dhe kërkojmë që kur të administrohet ajo mund të bëhet vetëm në pjesën kur do të administrohet si provë audioincizimit, sepse vetëm në atë pjesë shihet fëmija i mitur. Krahas asaj kërkojmë nga Gjykata që të nxjerr vendim që në raport me ligjin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, neni 5 dhe Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale neni 3 të merr vendim në ndalimin e publikimit të videos dhe detyrimit e tërheqjes nga portalet dhe personat fizik që kanë bërë publikimin e saj në mënyrë të paautorizuar, e si rrjedhojë janë cenuar, sepse e njëjta është në kundërshtim me ligjet e cekura më lartë, për të cilën nga pala është njoftuar edhe Prokuroria, e rrjedhimisht do të njoftohet edhe Agjencioni për Informim dhe Privatësi dhe organet tjera kompetente”, tha Shaqiri.

Më 10 prill të vitit 2022 një aksident kishte ndodhur në lagjen “Arbëria” në Prishtinë ku ishte aksidentuar një fëmijë, në këtë aksident ishte e përfshirë Ministrja e Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë, Hajdari. Aksidentin në fjalë e kishte konfirmuar edhe policia.

Exit mobile version