UBT News

​Mbrojtja e quan të papranueshme që Prokuroria të dorëzojë dosjen paraprake në shtator

Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara, mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar që sa më parë të marrin dosjen paraprake, në mënyrë që të fillojnë punën e tyre. Vonimi i dorëzimit të dosjes paraprake deri në shtator është cilësuar si e papranueshme.

Gjykatësi ka kërkuar nëse mund të ketë një datë të përafërt se kur mund të dorëzohet dosja parapake dhe ka kërkuar datë përfundimtare për përfundimin e hetimeve të pazhvilluara.

Prokurorja Claire Lawson tha se do të jenë në gjendje që deri në javën e dytë të shtatorit 2021 të dorëzojnë dosjen paraprake, pasi që tha se nënkategorizimi i materialeve kërkon kohë.

“Ne parashikojmë që materialet sipas rregullës së 95 t’i dorëzojmë deri në javën e dytë të shtatorit 2021. Arsyeja për këtë ndryshim në afatin kohor është për shkak të afateve të reja që keni vënë ju i nderuar gjykatës në vendimin tuaj për rikategorizimin e provave. Ndonëse ne jemi të fokusuar te detyrimet që kemi sa i përket nxjerrjes dhe e kemi fokusuar të gjitha burimet në këtë aspekt, nënkategorizimi i materialeve kërkon kohë dhe burime të tjera të konsiderueshme që e zgjatë kohën e përfundimit të kësaj procedure”, tha ajo.

Avokati i Hashim Thaçit, David Hooper tha se çfarë nevoje ka tash ZPS të bëjë hetime në këtë fazë të procedurës që ndodhen. Ai përmendi se në një ditë si kjo, 22 vjet më parë NATO ka bërë bombardime për të ndaluar agresionin serb kundër Kosovës.

“Më çudit ajo që e thotë prokurorja sa i përket hetimeve, së pari çfarë nevoje ka për të bërë hetime në këtë fazë që jemi, jemi këtu sot është data 24 mars, 22 vjet pasi NATO bëri bombardimin për të ndaluar agresionin serb kundër Kosovës, 22 vjet më parë, dhe ja ku jemi sot në vitin 2021 me një aktakuzë që ua ka parashtruar deri në imtësi, çfarë nevoje ka që prokuroria të bëjë hetime të mëtejshme, më duket se këtë e bëjnë për të përforcuar një dosje që nuk është aq e fortë, si mund të thonë që kjo nuk mund të pengojë gjykatën në punën e saj, si mund të thonë që nuk do të ketë pasoja në kohën kur do të fillojë gjykimi”, tha ai.

Ndërkaq, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson tha se në parashtrimet e tij kishte kërkuar që të bëjë shkëputjen e lidhjes që ka prokuroria me dosjen paraprake dhe datës së fillimit të gjyqit. Ai tha se për mbrojtjen është shumë e rëndësishme që sa më shpejt t’u dorëzohet dosja paraprake.

“Është shumë e rëndësishme për mbrojtjen që të fillojë përgatitjet e saj që të ketë dosjen paraprake dhe sa më shpejt që të jepet kjo dosje paraprake aq më e lehtë bëhet puna jonë. Ne i përmbahemi këtij pozicioni dhe ju kërkojmë juve që të merrni vendim në lidhje me të. Ne nuk do të diskutojmë kur fillon gjykimi, por të paktën përkohësisht të jepet një lloj rendi, sepse kolegu tha se prokuroria po i bën fazat dhe dhënien e materialeve në mënyrë të shkëputur dhe rastësore dhe ne themi që Prokuroria të paktën deri në mes të qershorit të na thotë hapur çfarë pozicioni ka dhe të na japë një dosje të detajuar paraprake… Smith e tha herën e kaluar që Prokuroria ose u duk qartë nga Smith që Prokuroria po e bënë enkas që të vonojë dhënien e dosjes paraprake dhe ta japi atë sa më pak kohë para fillimit të gjykimit”, tha Emmerson.

Emmerson tha se është e rëndësishme që të ketë një datë për dorëzimin e dosjes paraprake, në mënyrë që mbrojtja të fillojë punën e saj.

Ndërsa, avokati që mbron Rexhep Selimin, David Young, tha se Prokuroria ka pasur pesë vjet kohë për të hetuar këtë çështje, ndërsa tha se është e papranueshme vonimi i dorëzimit të dosjes paraprake deri në shtator.

“Ne e dimë që Prokuroria ka pasur së paku 5 vjet kohë për ta hetuar këtë çështje sa duhet dhe që ta vonojë dorëzimin e dosjes paraprake deri në shtator të këtij viti është e papranueshme. Të pandehurit në këtë çështje kanë të drejtën të dinë se çka është thënë kundër tyre, çfarë akuzash ka kundër tyre dhe kjo dosje duhet t’i jepet në dispozicion”, tha ai.

Mbrojtjes i ka dhënë përgjigje prokurorja Claire Lawson, e cila tha se Prokuroria ka një mandat të qartë dhe do të vazhdojë të bëjë hetime në bazë të atij mandati. Sa i përket kërkesës që mbrojtja të ketë dosjen paraprake, tha se ata kanë një aktakuzë të hollësishme, përmbledhje të detajuar prej 600 faqesh dhe tha se kanë konfirmimin e aktakuzës prej 200 faqesh.

Sa i përket hetimeve të mbrojtjes, gjykatësi ka pyetur ata se nëse mund t’i fillojnë hetimet e tyre në mes të prillit.

Avokati i Hashim Thaçit, Pierre Richard Prosper, tha se ata nuk janë në gjendje të fillojnë hetimet seriozisht në prill, e kjo tha se është për dy arsye.

“Ne nuk jemi në gjendje të fillojmë punët hetimore seriozisht në prill për dy arsye, e para është në lidhje me nxjerrjen e materialeve, ne duhet të marrim materialet njëherë që të dimë çfarë të hetojmë sidomos për sa i përket deklaratave, dokumenteve që janë marrë nga organizata të ndryshme, nuk e dimë çfarë janë këto materiale, nëse janë selektive apo kërkohet hetim më i gjerësishëm i tyre… Ne nuk jemi në gjendje të përmbushim përgjegjësitë tona, sepse nuk kemi informacion. Desha të them që kjo nuk është thjesht çështje procedurale është edhe çështje e të drejtave të njeriut, dhe mund të citoj konventa ndërkombëtare…Në qoftë se hetimet vazhdojnë dhe ato hetime nuk lidhen me ne, atëherë kjo pengon punën tonë. Unë vërej që Prokuroria e ka dorëzuar gati një vit përpara aktakuzën dhe thonë që ende janë duke kryer hetime, ky pohim i tyre më duket i çuditshëm”, tha ai.

Gjithashtu, si sfidë e ka përmendur edhe pandeminë, ku tha se nuk kanë qenë në gjendje të udhëtojnë dhe të takohen. Ai përmendi se nuk është takuar me klientin e tij që prej kohës kur është ngritur aktakuza, derisa tha se nuk dëshirojnë të diskutojnë gjëra sensitive në ZOOM, pasi siç tha ai, as Prokuroria nuk e përdor këtë platformë për shkak të sigurisë.

Mbrojtja e Thaçit deklaruan se një vizitë në Kosovë do të përpiqen që ta bëjnë në muajin prill.

Lidhur me hetimet është deklaruar edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, i cili tha se hetuesi kryesor është infektuar me COVID-19, e që tha se ua ka vështirësuar punët.

“Kemi ende për të kaluar në fazën operative të përparësive, por fakti se hetuesi kryesor ka qenë i sëmurë nuk kemi proceduar më tej me këtë pistë. Sa i takon çështjes së alibisë apo masave speciale hetimore, është shumë herët t’i përgjigjemi kësaj pyetje dhe ky do të jetë pozicioni ynë derisa të shohim dosjen”, tha Emmerson.

Në anën tjetër, avokati i Rexhep Selimit, David Young, tha se një pjesë e hetimeve mund të fillojë në prill, derisa përmendi se edhe pandemia COVID-19 po e bllokon punën e tyre. Ai përmendi që Kosova është i vetmi vend që ende nuk ka marrë asnjë dozë të vaksinës antiCOVID-19.

“Në teori një pjesë e hetimeve mund të fillojnë në prill, megjithatë procesi është ngadalësuar për arsye që shkojnë përtej fuqisë tonë, për shembull hetimet për mbrojtjen tonë mund të pengohen. Ndërkohë sa i takon redaktimeve për akt-padinë dhe një arsye tjetër është që një vagulli e përgjithshme e të gjithë aktakuzës që e bën në tërësi aktakuzën të vështirë që të çojë në hetime të caktuara, pavarësisht se faqet e aktakuzës janë voluminoze… Për shkak të pandemisë globale do të kemi një hap më të ngadaltë të hetimeve, veçanërisht situata në Kosovë. Kosova është prekur si pjesët e tjera të botës, por nga ana tjetër fatkeqësisht për Kosovën nuk ka një plan për vaksinimin e vendit dhe është i vetmi vend në Evropë që deri më sot nuk ka marrë asnjë vaksinë”, tha ai.

Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, tha se shpresojnë që hetimet të fillojnë në fund të muajit prill, megjithatë ajo tha se kjo do të varet nga vështirësi të ndryshme.

“Ne shpresojmë që të fillojmë hetimet në fund të prillit, megjithatë kjo varet nga vështirësi të ndryshme”, tha ajo.

Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes, u bë e ditur se mbrojtja e Thaçit dhe Veselit kanë kërkuar urdhër nga ZPS-ja që të nxjerrë të gjithë regjistrimet audio dhe video për të gjithë dëshmitarët dhe intervistat e të akuzuarve.

Prokuroja Vlaire Lawson, tha se ka incizime audio-vizive për pjesën më të madhe të intervistave të bëra nga Prokuroria. Ajo tha se kur është bërë transkriptimi i janë vendosur në dispozicion mbrojtjes.

Në fund të konferencës mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, gjyqtari paraprak Nicolas Guillou ka dhënë urdhrat për palët në procedurë.

Exit mobile version