UBT News

​Mbrojtja e Gucatit thotë që masa e dënimit nuk duhet të jetë as e përafërt me kërkesën e prokurorisë

Mbrojtja e Hysni Gucatit, avokati Jonathan Elystan Rees ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për dënim me burgim prej gjashtë vjetësh, kërkesë të cilën e ka quajtur skandaloze.

Rees ka përmendur bashkëpunimin e Gucatit me gjykatën dhe e ka cilësuar të mbrojturin e tij njëri të ndershëm. Ai ka thënë se Gucati tashmë i ka vuajtur 18 muaj burgim, që sipas tij, është dënim i rëndë.

“Kur zoti Gucati i ka kaluar 18 muaj i burgosur nuk duhet të ndërmerren këtu asnjë lloj mase për të vuajtur masë dënim në një vend tjetër në një pjesë tjetër të Evropës. Dënimi me kusht mund të jetë masë dënimi deri në dy vite të gjata dhe ky është një dënim në vetvete shumë i ashpër, askush nuk mund të sugjerojë që një periudhë dy vjeçare nuk është një dënim i rëndë. Kualifikimi që gjendet këtu është që për dënimet me kusht parashikojnë një masë dënimi që është deri në dy vite. Në rrethanat e kësaj çështje kjo do të nënkuptonte që për shembull ju të nderuar gjykatës të arrini në përfundimin ta zëmë një masë dënimi e përshtatshme për këtë vepër penale do të ishte tre vite e gjashtë muaj, nëse zbriten 18 muajt atëherë do të zbritet në dy vite që do të ishte dënim me kusht. Dhe ne do të thonim që një farë mënyrë kështu do të merreshin parasysh edhe disa nga shqetësimet që i ngre Prokurori i Specializuar”, ka thënë Rees.

Sipas tij, në këtë mënyrë do të adresohej edhe pjesa e parandalimit dhe ajo e kryerjes së të njëjtës vepër.

“Nëse gjeni në mënyrë të drejtë që është kryer një vepër penale, të mbulonit një periudhë dy vjeçare të dënimit me kusht, ne do të thonim që kjo do të ishte një zgjidhje e drejtë e cila do të kishte edhe rolin parandalues dhe do të adresonte edhe çështjen e kryerjes së të njëjtës vepër. Dhe sipas parashtrimit tim ju i nderuar gjykatës duhet të impononi masën më të ulët që është e përshtatshme dhe që është në përputhje me veprën penale që analizohet”, ka thënë Rees.

Rees ka thënë se trupi gjykues duhet të trajtojë me kujdes çështjen para se të jap vendimin dhe të mos shqiptojë masë as të përafërt me atë që po e kërkon prokuroria.

“Prokuroria në këtë rastin tonë kërkon gjashtë vite, kërkon një masë dënimi gjashtë vite. Autoritetet që japin dënimet në juridiksione të tjera, apo tribunaleve të tjera nuk janë të detyruar të zbatojnë këtë udhëzues. Ky trup gjykues duhet ta shqyrtojë këtë çështje me kujdes të madh, të reflektojë të gjitha vendimet e gjykatave të tjera, përfshirë në këtë qytet, dhe të mos jap një masë shproporcionale dënimi. Sigurisht asnjë masë që t’i afrohet as afër asaj që kërkohet në mënyrë shproporcionale nga prokuroria, pra masën prej gjashtë vitesh”, ka thënë avokati i Gucatit.

Në pjesën e fundit të seancës do t’i bëjë parashtrimet e tij edhe avokati i Nasim Haradinajt. Gjithashtu do të dëgjohen edhe deklaratat e fundit nga të akuzuarit Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Exit mobile version