Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në dy seanca plenare. E para që është planifikuar të nisë në ora 10:00 në të vërtetë është vazhdim i pikave të papërfunduara të seanca të kaluara si pasojë e mungesës së kuorumit.
Janë nëntë pika gjithsej që presin të shqyrtohen ose të votohen nga ligjvënësit kosovarë. Si pikë e rëndësishme mbetet ajo për votimin në parim të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i kritikuar nga opozita.
Vëmendje do të marrë edhe pika ku parashihet votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Deklarimin Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave.
Si pikë të tjera që do të diskutohen në pjesën e parë të mbledhjes së Kuvendit janë edhe: Shqyrtimi i Raportit vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021; Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021; Votimi i Raportit vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për vitin 2021; Votimi në lexim të dytë i Projekt-kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale; Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-132 për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale; Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-131 për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-129 për Shërbimin Sprovues të Kosovës
Prej orës 11:00 është paraparë të fillojë seanca e re parlamentare që nis si zakonisht me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Në rend dite është edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktit mbi Ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane; Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë si dhe miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv rregullator dhe në ndërmarrje publike.