UBT News

​Mbi 380 pako të supozuara nga jashtë për kryetar të Dragashit

Mbrëmë ka përfunduar afati 15 ditor për pranimin e fletëvotimeve nga jashtë Kosovës për kryetar të komunës së Dragashit. Numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë pranuar nga diaspora për kryetar të kësaj komune është 381. Numërimi i fletëvotimeve do të fillojë gjatë ditës së sotme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj në mbledhjen e sotme të KQZ-së ka njoftuar se sekretariati është në procesin e përgatitjeve për përsëritjen e votimit nga jashtë në Dragash.

“Nga pranimi i pakove deri me datën 13 dhjetor, ku edhe është përmbyllur procesi i votimit, përsëritjes së votimit jashtë vendit për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune në Dragash, janë pranuar gjithsejtë 381 pako të supozuara me fletëvotime. Aktualisht procesi i vlerësimit të pakove të supozuara është në proces. Dhe nga të dhënat preliminare kemi diku rreth 500 fletëvotime të cilat janë të vlefshme dhe me dhjetëra që janë të refuzuara. Bëhet fjalë për rreth 500 fletëvotime të cilat duhet të rinumërohen nga jashtë vendit”, ka theksuar Ahmetaj.

Sa i përket pagesave të trupave zgjedhore ai theksoi se janë në proces edhe për 22 të tjerë, ku është rekomanduar që KQZ të kryejë këto obligime.

“Nga lista bëhet fjalë për gjithsejtë 22 persona, të cilët akoma sekretariati nuk ka mundur t’i procesojë dhe rekomandohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që stafi i evidentuar në listë, të paguhet për punën që ka kryer si anëtar i këshillit të vendvotimeve dhe po ashtu të provohet edhe për punën që ka kryer qoftë staf i QNR-së apo edhe nëse nuk kanë qenë nga komunat përkatëse”, ka deklaruar ai.

Drejtori ekzekutiv i Zyrës për Regjistrimin e Partive dhe Certifikim, Yll Buleshkaj ka njoftuar edhe për refundimin e depozitave të subjekteve politike.

“Janë 14 mijë euro të cilat duhet t’i kthehen buxhetit të Kosovës dhe gjashtë mijë euro të cilat duhet t’iu kthehen subjekteve politike të cilat kanë fituar nga një ulëse”, ka njoftuar ai.

Anëtari i KQZ-së, Florian Dushi ka bërë të ditur se deputeti i LVV-së, Alban Hyseni do të zëvendësohet me kandidatin, Halil Thaçi.

Janë edhe 16 zëvendësime të tjera të asambleve komunale, të cilët kanë dhënë dorëheqje për arsyeje të ndryshme.

Të drejtën e votës përmes postës në Dragash e kanë mbi një mijë votues. Këta votues janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës prej 10 korrik deri me 18 gusht 2021.

Gjykata Supreme kishte vendosur me datën 25 nëntor për përsëritje të votimit nga jashtë për Komunën e Dragashit.

Exit mobile version