Mbi 26 mijë nxënës të klasave të nënta të premten do t’i nënshtrohen testit të arritshmërisë, ku me pikët e arritura do të kenë mundësi të orientohen për në shkollat e mesme.
Testi do të ketë 100 pyetje nga lëndët gjuhë shqipe, gjuhë angleze, matematikë dhe pyetje nga shkencat shoqërore e ato natyrore, ndërsa edhe këtë herë nuk do të ketë kriter kalimi por që pikët e mbledhura u shërbejnë nxënësve që të orientohen për në shkollimin e mesëm.
Shefi i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Fatmir Elezi, thotë se gjithçka është gati për mbajtjen e këtij testimi, derisa thekson se edhe rregullat për mbrojtje nga COVID-19 do të respektohen.
“Këtë vit janë diku 26 mijë semimaturantë, testi është sikurse vitet paraprake, vitin e kaluar nuk është mbajtur testi siç e dini. Testi është me pyetje me alternativa, janë 100 pyetje nga lëndët që mësohen në shkollën e mesme të ulët, klasa e gjashtë deri në nëntë. Testi i arritshmërisë nuk është test i bazuar në kriter, do të thotë nuk ka kriter kalimi. Nxënësit i marrin pikët që i fitojnë në test, për çdo lëndë i marrin pikët ashtu siç i kanë dhe nuk ka kriter kalimi. Testi është i përbërë prej nëntë lëndëve gjithsej, janë gjuhë shqipe dhe gjuhë angleze një grup i lëndëve, histori dhe gjeografi, matematikë dhe informatikë dhe shkenca natyrore. Do të thotë këto katër grupe janë nga 25 pyetje secila”, thotë ai.
Testi i arritshmërisë do të mbahet në 155 qendra testimi në nivel vendi, ku për monitorimin e mbarëvajtjes së këtij testi do të jenë të angazhuar mbi 2 mijë administratorë.
Për shkak të mbrojtjes nga përhapja e pandemisë COVID-19, Elezi potencon se në klasa do të jenë vetëm nga 15 nxënës. Ai shprehet se kanë ndërmarrë të gjitha masat anti-COVID, ku çdo klasë do të jetë e pajisur me dezinfektues dhe nxënësit do të hyjnë në qendra të testimit vetëm me maska.
“Janë diku 155 qendra të testimit me rreth 2 mijë e 200 klasë të ndara meqë këtë vit të gjitha komunat numrin e nxënësve në klasë nuk e kanë mbi 15, vetëm në raste të rralla ku ka qenë ndonjë sallë më e madhe, mirëpo nëse ka qenë klasa 30 nxënës është ndarë në dysh dhe administrohet nga dy administrues. Çdo shkollë është e pajisur me dezinfektues, nxënësit janë te sugjeruar që të bartin maska, njësoj edhe administratorët dhe komisionerët janë të detyruar t’i kenë maskat me vete në ditën e testimit. Do të thotë duhet të respektohen të gjitha masat kundër pandemisë”, thotë ai.
Përjashtimi nga testimi është ndëshkimi për nxënësit që do të kapen duke përdorur telefonin brenda qendrës së testimit. Elezi thotë se do të jenë të pa kompromis ndaj atyre që thyejnë rregullat e testit.
“Çdo klasë i ka diku rreth 15 nxënës, kështu që përgjegjësinë për ata nxënës e ka administratori që është në klasë dhe ai duhet të merr masa ndaj nxënësve që nuk i respektojnë rregullat. Mirëpo, janë edhe kryetarët e komisioneve dhe mbikëqyrësit që nëse një administrator i thyen rregullat normal që duhet të ndërmerren masa ndaj administratorit të testit. Shpresojmë që nuk do të lejojnë fotografimin e testit dhe bartjen e tyre në rrjete sociale, po prapë është administratori në klasë ai i cili duhet t’i mbikëqyrë ata nxënës dhe t’ua ndalojë përdorimin e telefonave gjatë testit. Ndëshkimi për nxënësit është përjashtimi nga testi, nëse nxënësi e ka me vete telefonin edhe nëse nuk e përdor është rregull që ditën e testit nuk duhet ta marrin telefonin me vete. Nëse e ka brenda në klasë telefonin atëherë ai përjashtohet nga testi”, thotë Elezi.
Përkundër ndikimit të pandemisë në procesin mësimor, Elezi thotë se presin rezultate reale nga ky testim.
“Nuk e kemi një krahasim mes viteve, mund të jetë rezultati më i lartë sesa viteve të kaluara, por këtë vit thash testin e kemi përshtatur për situatën e pandemisë. Do të thotë edhe nëse është rezultati më i ulët sigurisht që ka ndikuar edhe pandemia, por nuk do të thotë shumë ngase nuk kemi krahasime mes viteve, nuk e kemi një test që e matim trendin prej viti në vit”, potencoi Elezi.
Testi i arritshmërisë ka qenë i paraparë të mbahet me 21 maj, por që shtyrja e mbarimit të vitit shkollor ka bërë që të shtyhet edhe mbajtja e këtij testi.