Mbi 250 vaksinime kundër COVID-19 janë kryer paraditen e sotme në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, kurse në nivel vendi mbi 3 mijë e 500.
Këtë e bëri të ditur koordinatori i qendrës së vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi, i cili tha se nga dita e parë e vaksinimit dhe deri më tani janë dhënë mbi 138 mijë vaksina.
“Siç po shihni vaksinimi në sallën “1 Tetori” dhe në nivel vendi është duke vazhduar, aktualisht deri në këto çaste që ne flasim në sallën “1 Tetori”, janë të vaksinuar mbi 250 persona, ndërsa në nivel vendi deri më tani janë të vaksinuar mbi 3 mijë e 500 persona, ndërsa nga dita e parë e vaksinimit deri tani kemi mbi 138 mijë vaksina të aplikuara”, tha ai.
Ai e ripërsëriti se mënyra e aplikimit bëhet përmes aplikacionit E-Kosova.
“Siç e dini mënyra e aplikimit bëhet në mënyrën E-Kosova, e cila nuk menaxhohet nga ne, por nga personat që e shikojnë atë proces. Në momentin që atyre iu procedohet termini për t’u vaksinuar, normalisht që edhe ne e shohim këtu në sistemin tonë që e kemi të teknologjisë dhe me automatizëm ai e merr vaksinën, ndërsa ata persona që kanë aplikuar dhe ende nuk kanë marrë vaksinën por që nuk është caktuar termini, normal që kanë atë ndjenjën e pakënaqësisë sepse ne këtu nuk arrijmë t’i shohim në sistem dhe jemi të detyruar t’i themi deri në momentin kur kemi konfirmimin zyrtarë deri në kohën dhe ditën që ka për të marrë vaksinën”, tha ai.
Javën e kaluar në Kosovë ka nisur fushata e vaksinimit masiv.