Në Kosovë gjatë periudhës janar – gusht të vitit 2022 janë raportuar 1 mijë e 852 raste të dhunës në familje. Komuna me më së shumti raste të dhunës në familje është Prishtina. Sa i përket personave të dyshuar dhe të arrestuar për dhunë në familje, pjesa më e madhe janë të gjinisë mashkullore dhe të moshës madhore. Ndërsa sa i përket viktimave të dhunës në familje del që pjesa më e madhe e tyre janë të gjinisë femërore.
Kështu është thënë në raportin e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në tryezën e sotme të diskutimit “Raportimi dhe trajtimi i rasteve të dhunës në familje”. Liridon Salihi, prezantues i analizës nga GLPS, tha se në shumicën e rasteve të dhunës në familje të akuzuarit i përkasin gjendjes së dobët ekonomike. Salihi tha se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka treguar efikasitet në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, ku si kryerës kanë qenë të miturit, ndërsa sipas tij nuk ka treguar efikasitet të tillë në trajtimin e rasteve ku si kryerës të dhunës në familje kanë qenë personat madhor.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka treguar efikasitet në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, ku si kryerës kemi pasur të miturit, ndërsa nuk ka treguar efikasitet të tillë në trajtimin e rasteve ku si kryerës të dhunës në familje janë personat madhor. Ndryshe nga analizimi i 43 aktgjykimeve të publikuara është se Gjykata Themelore në Prishtinë vetëm në pesë raste ka shqiptuar dënim me burgim efektiv, ndërsa pjesa më e madhe e aktgjykimeve ishin me dënim me kusht. Në 70 për qind të këtyre aktgjykimeve dhe të analizuara nuk është respektuar afati ligjor për caktimin dhe mbajtjen e seancës gjyqësore”, shtoi Salihi.
Ai tha se sa i përket rekomandimeve, kanë ftuar edhe institucionet e tjera duke përfshirë edhe Zyrën për mbrojtjen e viktimave, Qendra për punë sociale dhe Shërbimin korrektues që t’i rrisin kapacitetet për të trajtuar në mënyrë më serioze çdo viktimë, por edhe kryerësit e veprës penale dhunë në familje.
Ndërsa zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu kërkoi të punohet më shumë në këtë drejtim teksa tha se është shqetësuese fakti se nga 1 mijë e 725 persona të dyshuar për dhunë në familje, vetëm 682 janë arrestuar.
“Ne patjetër duhet të veprojmë në këtë drejtim për të përmbushur dhe harmonizuar aktet juridike, për ta rritur efikasitetin dhe për të mos lënë hapësirë për mos punë apo kamuflim të saj… Edhe me shqetësuese konsideroj se është fakti që nga 1 mijë e 725 persona të dyshuar për shkaktim të dhunës në familje, vetëm 682 persona janë arrestuar. Nga këtu bëjë thirrje për të gjithë akterët relevantë që ta rrisin seriozitetin për trajtimin e këtyre rasteve dhe veprimet t’i kenë pa asnjë kompromis për të dyshuarit që kryen veprën penale të dhunës në familje… Aktakuzat duhet të jenë profesionale dhe mirë të argumentuara, po ashtu duhet të rritet edhe efikasiteti i punës, sepse për këta tetë muaj të këtij viti ka rezultuar se ka një diferencë prej 70 lëndësh që kanë mbetur pa u trajtuar nga Prokuroria, për disa janë pranuar 613 raste, kurse janë marrë parasysh vetëm 543 prej tyre”, tha Sallahu.
Sallahu ka bërë të ditur se për herë të parë nën përkujdesjen e Ministrisë së Drejtësisë do të organizojnë 16 ditë e aktivizmit, e cila do të jetë kampanja më e madhe, ku parashihet aktivitete të shumëdimensionale dhe të ketë ndikim për vetëdijesimin e qytetarëve kundër dhunës në familje.
Dren Rugova, nënkryetar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tha se dhuna në familje duhet të ketë një trajtim më serioz. Sipas tij institucionet duhet të mos fokusohen ekskluzivisht në të gjeturat e fundit që përfundojnë në gjykatë por edhe në masat dhe efektet qe duhet merren për të parandaluar këto raste.
“Këshilli Gjyqësor ka ndërmarrë një sërë veprimesh duke adoptuar strategjinë për zgjedhjen efikase të lëndëve, ku çështjet e dhunës në familje janë paraparë me prioritet. Po ashtu, Gjykata Supreme ka nxjerrë një udhëzues për trajtimin e veprave penale që kanë të bëjnë me dhunën në familje. Dhuna në familje duhet të ketë një trajtim serioz. Edhe Gjykata Themelore në Prishtinë dhe të tjerat këto vepra penale i trajton me prioritet të jashtëzakonshëm… Përveç urgjencës që kanë këto raste në strategjinë e Këshillit Gjyqësor, janë paraparë edhe masat disiplinore për gjyqtarë, andaj konsideroj se nuk ka gjyqtar dhe gjykatë që i neglizhon këto raste, përveç rrethanave specifike kur çështjet, qoftë procedurale apo operative, bëjnë që të ketë vonesa në trajtimin e rasteve”, ka thënë Rugova.
Reyes Charle Cuellar, këshilltare për Çështjet Gjinore nga Zyra e Bashkimit Evropian, tha se ky raport është i rëndësishëm për rritjen e vetëdijesimit te qytetarët, teksa shtoi se Kosova duhet të luftojë në zbatimin e konventës për të parandaluar rastet e dhunës në familje.
“Dhuna në familje dhe kundër grave është e përhapur jo vetëm në Kosovë, por edhe çdo vend tjetër, dhe është një formë dominuese. Rastet janë të përditshme, por rrallë dalin në ballina të gazetave apo lajmeve, andaj edhe një raport i tillë është i rëndësishëm për ngritjen e vetëdijes për këtë fenomen. Dhuna e cila rezulton nga dikush në një vend ku ju duhet të ndiheni të sigurt është vështirë të ikim nga kjo, por ekziston edhe frika e raportimit. Është një çështje e komplikuar që duhet adresuar nga këndet e ndryshme të vështrimit, dhuna në familje duhet të adresohet me një qasje përmes parandalimit… Gjithsesi, Kosova ka arritur progres, sidomos kur i lexojmë të gjeturat në kuptimin e numrave, kjo nuk nënkupton se duhet të ndihemi komod, por duhet të luftojmë tutje që të zbatohet konventa”, tha Cuellar.