UBT News

​Masat kundër Kosovës, Kurti: Jemi aleati më i qëndrueshëm, BE është fati ynë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar listën e masave kundër Kosovës të propozuara nga Bashkimi Evropian. Në adresimin e tij në mbledhjen e ekzekutivit, ai ka thënë se BE e gjen tek Kosova partnerin dhe aleatin më të sinqertë dhe të qëndrueshëm të vlerave evropiane.

Ai ka thënë se në raste kanë qenë kritik ndaj BE-së, por asnjëherë cinik apo të hidhëruar.

“Dje Komisioni Evropian ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. Bashkimi Evropian tek Kosova e gjejnë partnerin dhe aleatin e saj më të sinqertë dhe të qëndrueshëm të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate. Kosova të tillë e ka qeverinë të tillë e ka popullin, së pari popullin pastaj qeverinë. Në raste kemi qenë kritik ndaj BE por asnjëherë as cinik e as të hidhëruar, nuk jemi as sot. Kur në dhjetor të vitit të kaluar dorëzuam aplikimin për anëtarësim atë e bëmë duke besuar që meritojmë që në një të ardhme të parashikueshme të jemi pjesë e këtij unioni sepse besojmë në të vlera dhe të njëjtin besim e kemi edhe sot”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti, teksa ka shprehur vlerësim për ndihmën që BE ka ofruar për zhvillimin e Kosovës, ka thënë se Bashkimi Evropian është fati i Kosovës.

“Pavarësisht zhvillimeve rrethanore ne e vlerësojmë përkrahjen dhe ndihmën e Bashkimit Evropian përgjatë gjithë këtyre viteve dhe mezi e presim pyetësorin për anëtarësim sepse Evropa është kontinenti ynë, e Bashkimi Evropian është fati ynë“, theksoi ai.

Komisioni Evropian do të ndërmarrë një numër masash kundër Kosovës dhe ato do të përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman gjatë takimit të ministrave të Bashkimit Evropian.

Exit mobile version