Shefi i misionit vëzhgues të Bashkimit Evropian për zgjedhjet në Kosovë, Lukas Mandl ka vizituar qendrën e votimit me numër 1903e në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë. Ai ka thënë se çdo gjë sot ka të bëjë me demokracinë dhe ka ftuar qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
“Kur them se gjithçka ka të bëjë me demokracinë, dua të inkurajoj çdo qytetar në këto 21 komuna ku sot po zhvillohen zgjedhjet, që të ushtrojnë të drejtën e votës për të votuar njërin apo tjetrin kandidat. Por për të kontribuar për demokracinë, sepse BE po bën shumë, komisionarët në qendrat e votimit dhe qendrat e votimit po bëjnë shumë, por kontributi më i rëndësishëm për demokracinë është ai i qytetarëve që shkojnë të votojnë, kontributi i tyre nëpërmjet votës është më i rëndësishmi për të forcuar demokracinë në Kosovë”, ka thënë Mandl.
Deputeti i Parlamentit Evropian ka thënë se të parët do të paraqesin deklaratën e tyre preliminare lidhur me procesin e sotëm zgjedhor.
“Ne jemi gjithsej 62 vëzhgues të BE-së në këto 21 komuna dhe jemi duke e vëzhguar nga afër këtë ditë zgjedhjesh. Ne i kemi vëzhguar nga ana administrative përgatitjet e vazhdueshme për ditën e zgjedhjeve, si dhe fushatën nga partitë dhe kandidatët. Ne do ta ndjekim nga afër edhe rezultatet pas mbylljes së vendvotimeve sot, ndërsa informacione të mëtejshme do t’ju japim të martën në ora 12:00 në Prishtinë, në konferencën për shtyp duke prezantuar deklaratën tonë preliminare për këtë raund të dytë të zgjedhjeve”, ka thënë ai.
Sot po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.