Në pjesën më të madhe të shkollave në Kosovë, sipas raporteve të komunave, është duke u zhvilluar mësimi me prani fizike dhe me orë të plota mësimore. Ndërsa, në shkollat ku ka numër më të madh të nxënësve, mësimi po zhvillohet me prani fizike, por në klasa të ndara në grupe me jo më shumë se 20 nxënës dhe një numër i vogël i shkollave po punojnë me mësim të kombinuar.
Kështu ka bërë të ditur zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku-Bërdyna në konferencën e rregullt për media, ku ka theksuar faktin se për zbatimin e skenarëve, varësisht nga situata epidemiologjike, do të kujdeset task forca në nivel të institucionit në bashkëpunim me task forcën në nivel të Drejtorisë Komunale për Arsim.
“Sipas të dhënave të Inspektorit të Arsimit deri më tani në Prishtinë, 39 shkolla janë duke punuar sipas skenarit-rikthimi dhe 22 në skenarin A, pra të ndarë në grupe. Në Fushë Kosovë tri janë në skenarin-rikthimi dhe 10 në skenarin A. Në Obiliq tetë në skenarin rikthimi dhe 10 në skenarin A. Në Pejë 17 shkolla kanë filluar procesin mësimor në skenarin-rikthimi, 15 në skenarin A dhe dy në skenarin B, që është mësim i kombinuar”, ka njoftuar ajo.
Maloku-Bërdyna ka folur edhe për shpërndarjen e teksteve shkollore, ku tha se ato po ofrohen falas për klasat 1-9, qysh nga 16 shtatori. Sipas saj, mungesa e tyre në disa klasa është për shkak se drejtoritë komunale të arsimit nuk ka njoftuar për numrin e saktë të nxënësve.
“Sipas të dhënave të komisionit për shpërndarjen e teksteve, në të gjitha shkollat e Kosovës ka përfunduar shpërndarja e teksteve. Kurse furnizimi është bërë në harmoni me kërkesat të cilat i kanë dërguar Drejtoritë Komunale të Arsimit. Si Ministri e Arsimit, disa herë kemi bërë njoftime në DKA-të që të jenë të kujdesshme për grumbullimin e të dhënave për numrin e nxënësve, sepse tekstet shkojnë vetëm në bazë të kërkesave që ne na dërgojnë DKA-të. Andaj nëse ndonjë nxënës ka mbetur pa tekste mësimore, përgjegjësia bie tek ata të cilët i kanë dërguar të dhënat e nxënësve për pajisjen për këto tekste”, ka shtuar ajo.
Zëvendësministrja e Arsimit theksoi se këtë vit me tekste alternative do të punojnë klasat 6 dhe 7.
Ajo ka bërë të ditur që ekipet e MAShT-it, sot kanë dalë në shkolla për të parë se si ka shkuar procesi i shpërndarjes së teksteve.
“Bazuar në të dhënat e dorëzuara nga komunat, mbi 90 për qind e mësimdhënësve dhe stafit tjetër që punon në shkolla janë vaksinuar. Më shumë se 65 për qind e tyre janë me të dy dozat”, përfundon ajo në konferencën e rregullt.
Derisa është pyetur për organizimin e klasave, pas mbajtjes së zgjedhjeve më 17 tetor, ajo tha se planifikimet do të bëhen me institucionet e linjës. Megjithatë, ajo ka shtuar se aktualisht nuk kanë marrë ndonjë vendim rreth kësaj.