UBT News

​Macron propozon komunitet të ri evropian për përfshirjen e vendeve jo anëtare

French President Emmanuel Macron and centrist candidate for reelection listens to a guest during a meeting in Pau, southwestern France, Friday, March 18, 2022. The two-round presidential election will take place on April 10 and 24, 2022. (AP Photo/Bob Edme)

Presidenti francez, Emanuel Macron, i cili aktualisht kryeson edhe presidencën e Bashkimit Evropian ka hedhur idenë e një alternative për zgjerimin e BE-së. Ai propozon krijimin e një entiteti paralel evropian, ku do të jenë pjesë vendet të cilat nuk janë anëtare të unionit, raporton euroneës.

Macron paraqiti para parlamentit evropian propozimin për krijimin e një “komuniteti të ri politik evropian” që do t’i lejonte shteteve që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian të jenë më afër unionit.

Në fjalimin para eurodeputetëve në Strasburg, Macron tha se një hap i tillë do të ndihmonte në strukturimin e arkitekturës së sigurisë së Evropës, e cila është cenuar nga pushtimi i Ukrainës.

“Si duhet ta organizojmë Evropën, nga një këndvështrim politik që shkon më tej se Bashkimi Evropian? Është detyrimi ynë të reagojmë dhe të krijojmë atë që unë do ta quaja sot një ‘komunitet politik evropian’. Kjo organizatë e re evropiane do t’u mundësonte kombeve demokratike evropiane që u përmbahen vlerave tona themelore, të gjejnë një hapësirë të re bashkëpunimi në fushën politike, të sigurisë, energjisë, transportit, financimit të infrastrukturës dhe lëvizjes së njerëzve veçanërisht të rinjve tanë”, tha Macron.

Ai shtoi se në këtë komunitet nuk do paragjykohet aëtarësimi i ardhshëm i BE-së, por nuk do lihet i mbyllur as për ato shtete të cilat e kanë lënë atë.

“Anëtarësimi në këtë komunitet nuk do të paragjykonte domosdoshmërisht anëtarësimin e ardhshëm në BE, po as nuk do të ishte i mbyllur për ata që e lanë atë”, tha Macron.

Macron nuk specifikoi se si kuadri i ri do të funksiononte politikisht në praktikë, por në vend të kësaj citoi propozimin për një “Konfederatë Evropiane” të bërë më parë nga një prej paraardhësve të tij, François Mitterrand.

“Është një mënyrë për të qenë pranë me vendet që janë gjeografikisht në Evropë dhe ndajnë vlerat tona”, tha Macron.

Sipas presidentit francez, kuadri i ri do t’i lejojë Ukrainës, Gjeorgjisë, Moldavisë, vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe “ata që janë larguar nga BE”, sikundër Britania e Madhe që të jenë më shpejt pjesë e një Evrope politike.

Deklarata e Macron-it vjen pasi shtetet e BE-së përplasen herë pas here, se sa shpejt duhet të ecin përpara me aplikimin për anëtarësimin e Kievit, për të cilin pritet një opinion i Komisionit Evropian.

Për më tepër, është edhe Ballkani Perëndimor, ku mbetet ende e hapur çështja se kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të anëtarësohen në BE pasi të kenë marrë statusin e kandidatit.

Macron si përfundim tha se gjatë mbledhjes së Këshillit Evropian në qershor ai do donte më shumë mbështetje për disa fusha të politikave të Bashkimit Evropian dhe se kishte nevojë për të reformuar traktatet e BE-së në mënyrë që të bëhen më efektive.

Exit mobile version