UBT News

​LVV në Podujevë hap fushatën me aksion simbolik

Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë ka hapur fushatën zgjedhore me një aksion simbolik për shkak pandemisë COVID-19.

Disa simpatizantë të kësaj partie, në sheshin e këtij qyteti kanë mbajtur në duar pankartat me ngjyrë të kuqe e mbishkrime të emrave të fshatrave të Podujevës.

Kandidati për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje mori pjesë në hapje të fushatës, i cili tha se sivjet hapja e fushatës është në mënyrë simbolike duke respektuar masat e IKSHP-së. Ai tha se LVV dega në Podujevë hynë këtë garë me synimin për të fituar këto zgjedhje.

“Gjatë kësaj periudhe nëntë mujore kemi treguar një qeverisje stabile, një qeverisje me seriozitet në punë dhe në veprime konkrete dhe shpresojmë shumë se do ta kemi besimin e qytetarëve për këto zgjedhje”, tha ai.

Synimet kryesore të LVV-së në Podujevë janë në tri shtylla kryesore.

“Synimet kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje në komunën tonë janë në tri shtylla kryesore, në shëndetësi, në arsim dhe në infrastrukturë. Në shëndetësi do ta bëjmë gjithsesi spitalin e përgjithshëm të qytetit të Podujevës, si synim kryesor i yni, do të krijojmë një fond të veçantë për fëmijët me autizëm. Në arsim gjithsesi se do i thellojmë reformat e nisura”, tha ai.

Ndërsa, tek infrastruktura prioritet në mandatin katër vjeçar mbetet ndërtimi i stacionit të autobusëve, dhe krijimi i një tregu të gjelbër, i cili do të vendoset në vend të stacionit të autobusëve.

Pjesëmarrës në këtë fushatë ishin edhe disa nga kandidatët për asamble nga ky subjekt. Fushata zgjedhore zgjatë një muaj, ndërsa më 17 tetor mbahen zgjedhjet lokale.

Exit mobile version