Kuvendi i Kosovës nuk e ka përfshirë në rend të ditës rezolutën e Partisë Demokratike të Kosovës për mbështetjen e Policisë së Kosovës, e cila synonte që brenda dy javësh të prezantonte para Kuvendit projektligjin për pensionimin e parakohshëm, sigurimin shëndetësor dhe shtesat e rrezikshmërisë për policët. Të njëjtën nuk e përkrahi Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa e mbështetën dy parti të tjera opozitare, LDK dhe AAK.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se Kuvendi duhet të jetë unik në mbështetje të Policisë së Kosovës.
“Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ju propozoj që ta plotësojmë ndryshojmë rendin e ditës së kësaj seance. Ashtu siç ishim unikë para një jave, sot është e rëndësishme të jemi unik që pjesë e rendit të ditës së kësaj seance të jetë një rezolutë me të cilën do ta mbështesim Policinë e Republikës së Kosovës. Kjo Rezolutë përmban tri pika jashtëzakonisht të rëndësishme përmes të cilave Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria hyjnë në një agjendë mbështetëse për Policinë e Kosovës. Me anë të kësaj rezolute, ne synojmë që ne si GP i PDK-së në një afat prej dy jave t’ia prezantojmë Kuvendit ligjin për pensionim të parakohshëm për Policinë e Kosovës, po ashtu do të kërkojmë që nga 1 janari i vitit 2024 të buxhetohen mjetet për sigurimin shëndetësor për policinë dhe e treta që është e rëndësishme të përmbushet obligimi sa i përket shtesave për rrezikshmërinë për policët e Kosovës”, tha ai.
Kërkesës së PDK-së nuk iu përgjigj pozitivisht shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusar-Lila e cila tha se kërkesat kanë implikime buxhetore dhe duhet një koordinim dhe diskutime të mëtutjeshme për të parë formën e mbështetjes ndaj Policisë së Kosovës.
“Kërkesat siç u prezantuan kanë implikime buxhetore edhe procedurë ligjore. Të diskutojmë që të kemi një aftëzim të mirëfilltë të kohës dhe agjendës legjislative. Ne gjithsesi qëndrojmë të gatshëm të kontribuojmë po ashtu janë edhe përfaqësuesit e qeverisë që të tregojnë për proceset që janë në vijimësi”, tha ajo.
Deputetët e PDK-së kërkuan që kjo pikë të vihet në rend dite në seancën e radhës.