Në konferencën vjetore të prokurorëve, kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë se nga ky institucion është bërë punë e madhe, e cila sipas tij vërtetohet me rezultate konkrete. Ai tha edhe se reformat në drejtësi nuk mund të ndërtohen nëse injorohen interesat e përgjithshme.
“Kryeprokurori i shtetit së shpejti do të ketë drejtues të ri i cili duhet të marrë besimin edhe nga partnerët ndërkombëtar jo vetëm nga institucionet. Të jetë i gatshëm të mbrojë nderin dhe pavarësinë e institucionit. Kryeprokurori i shtetit gjatë këtyre viteve ka qenë unik duke treguar forcë e vendosmëri duke u përballur me çdo situatë të krijuar, besoj që kështu do të jetë edhe në të ardhmen”, ka thënë Lumezi.
Lumezi foli edhe për ndjekjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë.
“Kemi treguar se jemi në gjendje të reagojmë në mënyrë adekuate në te gjitha situatat. Është bërë një punë mjaft e madhe që vërtetohet nga rezultatet konkrete. Më parë as nuk është paramenduar ndjekja penale ndaj zyrtarëve te lartë shtetëror e sot kjo është bërë realitet”, tha Lumezi.
Si sukses të punës ndër të tjera ai ka përmendur rastin “Subvencionet” dhe rastin “Brezovica” ku ka thënë se “kemi vërtetuar që puna e përbashkët ka dërguar porosi që nuk mund të vihen mbi institucionet e shtetit”.
“Secili vit pasueses ka shënuar arritje te reja në sistemin prokurorial si rezultat i punës transparente dhe të përgjegjshëme të prokurorit të shtetit”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se sfidë mbetët konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme duke bërë thirrje që rastet e konfiskimit të trajtohen me prioritet.