Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka deklaruar sot se rasti i 400 kilogramëve të kokainës të konfiskuara javë më parë në Lipjan, është në proces të hetimeve dhe se kjo e fundit po ruhet në Policinë e Kosovës.
Këto komente Lumezi i bëri me rastin e nënshkrimit të një memorandumi të bashkëpunimit me Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë për shkëmbim të dokumenteve dhe informatave në luftën kundër dukurive negative. Ai nuk dha shumë detaje nën arsyetimin se rasti është ende nën hetime.
“Rasti i kokainës është në fazën e hetimeve, nuk mundem të jap informacione të detajuara lidhur me këtë rast. Ekskluzivisht me këtë rast është duke u marrë Prokuroria Speciale e Kosovës, por jemi edhe në koordinim me Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë për shkëmbimin e informacioneve të cilat janë të nevojshme për procedurën penale[…]sa i përket kokainës, ajo qëndron në lokalet e Policisë së Kosovës, është e sigurt dhe është nën mbikëqyrjen e policisë”, tha Lumezi.
Sot gjatë ditës Prokuroria e Shtetit të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar sot memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave, terrorizmit dhe veprave tjera penale.