Luljeta Aliu-Krasniqi është zgjedhur anëtare e Komisionit të Pavarur të Mediave. Ndërkaq për dy anëtarë të tjerë, për të cilët nuk u arritën votat e mjaftueshme, konkursi do të përsëritet. Në garë kanë qenë Granit Musliu, Xhevat Latifi, Veton Kasapolli dhe Jeta Abazi-Gashi.
Deputetët në seancën e sotme plenare kanë votuar në mënyrë të fshehtë për zgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.
“Për anëtare të këtij Komisioni të Pavarur të Mediave, nga radhët e grave me 48 vota zgjidhet anëtare, Luljeta Aliu Krasniqi. Kurse, për kandidatët e propozuar për zgjedhjen e dy anëtarëve nga katër kandidatë sa i patëm në rubrikën e dytë, nuk ka arritur të zgjidhet asnjë anëtar. Meqë Granit Musliu i ka 24 vota, Xhevat Latifi 40, Veton Kasapolli 41, kurse Jeta Abazi Gashi 14 vota. Prandaj, nuk e ka arritur asnjëri numrin e 46 votave, sa ishin të nevojshme për tu zgjedhur anëtar i Komisionit të Pavarur të Mediave”, ka thënë kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Sa i përket mandatit të anëtares së zgjedhur të këtij komisioni, ai ka shtuar se Komisioni i Pavarur i Mediave pritet që ta përcaktojë me short.
Dy anëtarë do të kenë mandat dyvjeçar dhe një anëtar tjetër do të ketë mandat për katër vjet.