Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se lufta do të zhvendoset në Rusi pas një sulmi me dron në kryeqytetin Moskë.
Zelensky tha se sulmet në territorin rus ishin “të pashmangshme, të natyrshme dhe absolutisht të drejta” në kuadër të luftës midis dy vendeve, raportoi BBC.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se tre drone ukrainas u rrëzuan të dielën, ndërsa dy u përplasën në zyra. Aeroporti Vnukovo, në jugperëndim të qendrës së qytetit, u mbyll gjithashtu për pak kohë. Sulmi me dron në orët e para të së dielës është i fundit për të cilin Moska ka fajësuar Kievin.
Dhe në një videomesazh të dielën nga qyteti perëndimor i Ukrainës, Ivano-Frankivsk, Zelensky tha se Ukraina po forcohej.
“Sot është dita e 522-të e të ashtuquajturit ‘Operacion Special Ushtarak’, për të cilin udhëheqja ruse mendoi se do të zgjaste disa javë. Gradualisht, lufta po shkon në territorin e Rusisë – në qendrat e saj simbolike dhe bazat ushtarake, dhe ky është një proces i pashmangshëm, i natyrshëm dhe absolutisht i drejtë”, tha Zelensky.
Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev tha të dielën se Moska do të duhej të përdorte një armë bërthamore nëse kundërofensiva e vazhdueshme e Kievit ishte e suksesshme.
Medvedev, i cili është nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë – një organ i kryesuar nga Putin – tha në mediat sociale se nuk do të kishte “asnjë alternativë tjetër” nëse Ukraina merr atë që ai e përshkroi si “tokën tonë”.
Zyrtarët thanë se nuk pati të lënduar pas sulmit me dron në Moskë dhe kryetari i bashkisë së qytetit Sergei Sobyanin tha se fasadat e dy ndërtesave të zyrave ishin dëmtuar lehtë.