UBT News

​Lufta hibride, rreziku real që paraqet për Kosovën

Shtete të ndryshme përdorin mjete të ndryshme për shtrirjen e ndikimit të tyre ideologjik, politik e ekonomik. Jemi në shekullin ku betejat për ndikim nuk zhvillohen në fushën e dyluftimit, por me anë të metodave të ndryshme.

Dezinformimi, propaganda, kërcënimet kibernetike, fushatat e egra diplomatike, sabotimet e shantazhet, e një mori metodash të tjera që njihen ndryshe si “lufta hibride”, kanë zënë vendin e përplasjes ballë për ballë, duke zënë vendin e konfrontimit fizik, por me qëllimin e njëjtë për dominim.

Edhe Kosova, sikurse të gjitha vendet e tjera, nuk është imune ndaj kësaj dukurie andaj për ballafaqimin sa më efikas të kësaj lufte, ajo shfrytëzon mekanizmat e saj të sigurisë, e në veçanti Agjencinë e Kosovës për të Inteligjencë – AKI.

Njohës të fushës së sigurisë thonë për KosovaPress se Kosova ka kapacitete për frenimin e luftës hibride, porse si shtet i ri nevojitet investim më i madh në këtë aspekt. E krejt kjo duke marrë parasysh tendencat serbo-ruse për dominim në Ballkan, e sidomos në Kosovë.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu thotë se Kosova është e kompletuar në segmentin e sigurisë. Porse, tërheq vëmendjen se nuk ka segmente të identifikimit të luftës hibride në të gjitha institucionet.

Sipas Musliut, në çdo institucion të Republikës të Kosovës duhet të ekzistojë një bërthamë e cila identifikon sulmet hibride, por gjithmonë në koordinim me segmentin e sigurisë e nëpërmjet të cilës zhvillohet aksioni i kundërmasave.

“Kosova është e kompletuar sipas mendimit tim në segmentin e sigurisë, por ka një segment të luftës kibernetike në të gjitha institucionet, po ashtu edhe në institucionet e sigurisë. Por, ekskluzivisht për atë që po më pyesni ju (lufta hibride), institucioni më përgjegjës është ai i shërbimit sekret apo AKI. Dhe me një siguri të plotë ju them se kapacitetet brenda AKI-së janë të përmbushura dhe me efikasitet të plotë aq sa i duhet Kosovës, institucioneve të saj më një saktësi dhe një përgjegjësi optimale gjer më sot. Sa i përket institucioneve të tjera, nuk mund të them se kanë institucione të ngritura ose kapacitete të ngritura brenda institucionit përkatës. Por, atë që kemi parë deri më sot, në Kosovë nuk ka mundur të depërtojë kjo luftë speciale, sigurisht e udhëhequr nga Rusia dhe Serbia në këtë rajon, në këtë pjesë të Evropës dhe Ballkanit, që do të thotë në Kosovë më së paku është prezente kjo luftë sa i përket dëmtimit të imazheve apo të institucioneve”, thotë ai.

I të njëjtit mendim është edhe Mentor Hoxhaj, kryesues i Komunitetit për Siguri Kibernetike dhe Privatësisë, sipas të cilit, Kosova ka institucionet e saj që merren dhe e trajtojnë në mënyrë profesionale luftën hibride.

Ai thekson për KosovaPress se institucionet e Kosovës që merren me parandalimin e luftës hibride duhet të pajisen dhe të mbështeten me kapacitete teknike, njerëzore dhe materiale.

“Unë vlerësoj në bazë të asaj që e kam parë edhe në media, edhe në aktivitete, Kosova ka institucione të sigurisë, të cilat merren në mënyrë të përkushtuar dhe profesionale me luftën hibride. Normalisht që kjo kërkon punë, mundim dhe në nivele të ndryshme, ndoshta edhe nuk mjafton. Prandaj, edhe shoqëria civile, televizionet, edhe ju momentalisht jeni duke kontribuar në ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe ngritjen e vetëdijes sa i përket sulmeve të mundshme të luftës hibride, të cilat e kanë si qëllim qytetarin e Republikës të Kosovës për të pasur dhe krijuar opinione të ndryshme”, thotë Hoxhaj.

Analisti Ramush Tahiri thotë se pavarësisht se vendi ka shumë mekanizma të sigurisë, ende ka hapësirë për përmirësim në këtë fushë.

Duke marrë parasysh vendet e tjera kanë krijuar zyra të veçanta për t’u përballur me luftën hibride si dhe strategjinë BE-së që ka të bëjë me luftën hibride që përdorë Rusia dhe ISIS-i, Tahiri thotë se edhe Kosova mund të bëjë më shumë.

“Kosova i ka institucionet e sigurisë, edhe në kuadër të Policisë edhe AKI. Kosova ka edhe institucione të tjera në formën e OJQ-ve, që bëjnë herë pas here publikime në fushën e sigurisë, por edhe të propagandës. Duket se jemi në fillet e demokracisë dhe të ndërtimit të shtetit, që në këtë kohë vendet e tjera ecin shumë më shpejtë dhe e kemi shumë vështirë për t’i zënë. Do të kisha pasur shumë dëshirë që qeveria në bashkëpunim me presidentin ose me Këshillin e Sigurisë Kombëtare të krijojnë mekanizmat në secilën fushë ose pas secilës ministri sepse lufta hibride do të jetë domethënëse në vitet e ardhshme dhe Kosova duhet të mbrohet”, thotë ai.

Tahiri merr dy shembuj përmes të cilave shpjegon arsyen pse Kosova duhet të rrisë kapacitetet e saj për të frenuar luftën hibride që bëhet ndaj vendit sidomos nga Rusia dhe Serbia. Ai fillimisht ndalet te pjesa e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë ku zakonisht iu referohet me “të pagjetur” që sipas Tahirit e zhvlerëson krimin e bërë nga aparati shtetëror i Serbisë.

“Kur kemi të bëjmë me ata që janë kidnapuar nga Kosova, domethënë janë marrë peng njerëzit e gjallë ose njerëzit e vdekur dhe nuk kthehen në Kosovë, ne e kemi termin neutral që përdorin edhe ata serbët ‘të pagjeturit’, dhe me këtë zhvlerësojmë edhe veten, edhe viktimat. Ndërsa krejt kuptim tjetër ka nëse themi: ‘janë marrë peng nga ushtria dhe policia serbe’, sepse ajo është bërë me politikë shtetërore, me qëllim të rritjes së dhimbjes te qytetarët”, deklaroi Tahiri për KosovaPress.

Sipas tij, edhe reagimet që erdhën pas arrestimit të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale janë pjesë e propagandës serbo-ruse.

“Është një propagandë e luftës hibride tash që kemi të bëjmë me njerëzit që kanë shkuar në Hagë dhe që po përballen me gjykim. Dhe, e dëgjon në opinion: ‘boll ju kemi duruar 20 vjet, kanë bërë gjithçka, krejt të zezat ia kanë sjellë Kosovës’, dhe e krahasojnë: ‘as regjimi serb nuk ka bërë çka kanë bërë këta’. Kjo është propagandë e ndyrë ruse dhe serbe për të zhvlerësuar vlerat e UÇK-së, ose thuhet ‘përballja është individuale dhe nuk dëmtohet UÇK-ja, mirëpo çka ndodhet nëse mbetet kjo aktakuzë, nëse fillon gjykimi me detyrë zyrtare ose me vijë komanduese, atëherë aty nuk ka përgjegjësi individuale, atëherë aty gjykohet UÇK-ja”, thekson Tahiri.

Krejt në fund, Tahiri thotë se në Kosovë po depërton lufta hibride në mënyrë të paselektuar. E në këtë, sipas tij, po ndikon edhe mungesa e edukimit për luftën hibride dhe pasojat e saj.

Exit mobile version