Lokali në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë që ishte përfshirë nga zjarri këtë të hënë ishte jofunksional dhe nuk ka pasur njerëz përreth.
Në vendin e ngjarjes veç policisë dhe zjarrfikësve kanë dalë edhe zyrtarë komunalë të cilët kanë deklaruar se nuk ka njerëz të lënduar, dëmet janë vetëm materiale.
Drejtoresha për Shërbime Publike në komunën e Prishtinës, Medina Braha thotë se organet kompetente do të bëjnë hetimet dhe do të vijnë në përfundim se cili ishte shkaktari i zjarrit.
“Këtu jemi sot siç njihet ‘Parku i Heroinave’ dhe kemi pas një rast ku ka pas djegie të një lokali. Fatmirësisht ajo është një pjesë jo funksionale, nuk është duke u shfrytëzuar dhe fatmirësisht edhe lokalet poshtë nuk janë prekur nga djegia. Do të thotë kemi dëme materiale vetëm të pjesës lart që po e përsërisë që është e pashfrytëzuar, kurse lokalet poshtë nuk kanë ndonjë djegie. Organet do t’i bëjnë hetimet dhe do të vijnë në përfundim se çka është shkaktari por tani për tani zjarrin veçse e kemi lokalizuar”, ka deklaruar Braha.
Komandanti i zjarrfikësve në komunën e Prishtinës, Latif Zeka ka treguar për ndërhyrjen që bënë zjarrfikësit në momentin kur ata u informuan për zjarrin në këtë pjesë të kryeqytetit.
“Zjarrfikësit po sa e kanë marrë lajmin në 12:49 kanë dalë në vendin e ngjarjes, zjarri ka qenë jashtëzakonisht një hovë i madh në zhvillim. Por për fat të mirë ata që momentin që kanë ardhur e kanë shti zjarrin nën kontroll dhe nuk ka dëme përveç demit lartë që ka ndodhur. Lokalet tjera janë lokalizuar dhe janë shpëtua. Për dëmet materiale nuk e di, janë ekspertët edhe të Policisë edhe të brigadës se zjarrfikësve që është inspektori i parandalimit të zjarreve ku do ta vlerësojmë sa dëme dhe prej çka ka ndodh zjarri”, ka thënë ai.
Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.