UBT News

​Lista Serbe bojkoton zgjedhjet e jashtëzakonshme të 18 dhjetorit në veri

Ndërsa presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri, Lista Serbe ka bërë sot të ditur se nuk do të merr pjesë në këto zgjedhje.

“Duke pasur parasysh vendimin e Prishtinës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës, informojmë opinionin se Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe as qytetarët që mbështesin partinë tonë, prej të cilave mbi 95 për qind janë në këto zona”, thuhet në deklaratë.

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike dhe me KQZ-në, ka caktuar 18 dhjetorin, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Pas takimit me përfaqësues të partive politike, Osmani ka potencuar se do t’i drejtojë një kërkesë partnerëve ndërkombëtarë për monitorim të zgjedhjeve dhe pjesëmarrje sa më të madhe ndërkombëtare në këtë proces zgjedhor.

Osmani, ka theksuar gjithashtu se institucionet e sigurisë do t’i ndërmarrin të gjitha masat në mënyrë që qytetarët pa dallim etnie, të ndihen të mbrojtur, të sigurt dhe t`i realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese. 

Exit mobile version