Blerim Krasniqi, i lënduari në aksidentin tragjik që ndodhi në muajin korrik tashmë është liruar nga spitali.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla derisa ka treguar për lirimin e tij, tha se Krasniqi është në gjendje stabile dhe se ai këtë të enjte është nisur për trajtim të mëtutjeshëm në Gjermani.
“Një lajm i mirë nga Kroacia, Blerim Krasniqi, pasagjer në autobusin i cili u aksidentua në Slavonski Brod të Kroacisë, pas një periudhe të gjatë në repartin intensiv, sot është liruar nga spitali. Gjendja e tij është stabile dhe falë angazhimit të mjekëve dhe të gjitha autoriteteve kroate si dhe zyrtarëve tanë nga Ambasada jonë në Kroaci, ai sot është nisur për trajtim të mëtutjeshëm në Gjermani deri në përmirësim të plotë të shëndetit të tij. I kam dërguar letër falenderimi Ministrit të Punëve të Brendshme të Kroacisë, Drejtorit të Policisë, Drejtorit të Policisë Lokale dhe Kryebashkiakut të Slavonski Brod, për angazhimin e madh në aksidentin që u mori jetën 10 qytetarëve tanë. Kam pranuar përgjigje të menjëhershme me shqetësimin mbi ngjarjen, por edhe obligimin që kanë ndjerë për kujdesin ndaj të gjithë qytetarëve të aksidentuar. Kemi shprehur të dyja palët gadishmërinë për bashkëpunim, me shpresë që do të takohemi në rrethana të tjera të konkretizojmë punët e t’i finalizojmë suksesshëm ato”, ka shkruar Sveçla.