Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj është shprehur i bindur se rreshtimi i frymës çlirimtare, të cilën e bartë partia e tij do të jetë në Kuvendin e Kosovës, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Madje, ai tha se do t’i thyejnë të gjitha parashikimet e atyre që po bëjnë sondazhe dhe po paraqesin Nismën nën pragun zgjedhor.
Limaj gjatë tubimit elektoral në fshatin Komoran të Drenasit tha se angazhimi dhe puna në teren e dëshmon se Nisma do të jetë në parlament.
“Ju kujtohet para 20 viteve, dikur kur kanë menduar shkatërrimin e UÇK-së, pas ofensivave të shtatorit, pas gjithë atyre lëvdatave për shkatërrimin e forcave tona, pas ofensivave të parë, ju e dini ne në malet e Berishës i shikonim dhe bënim hajgare me ta. Ju vërtet po mendoni që mundeni me shkatërru UÇK-në. UÇK-ja në shtator u kthye më e fuqishme dhe fortë që realizojë misionin e saj për liri. Sot kur dëgjoj atje, nxehtë në zyre, në fotelet e tyre bëjnë analiza, prapë them të njëjtën gjë sikur para 20 viteve. Këta nuk e dinë që ne jemi këtu, në punë, angazhim nuk ndalemi kurrë dhe ne me 14 shkurt do t’i thyejmë të gjitha parashikimet e tyre. Fryma dhe rreshtimi i çlirimtarëve do të jetë fuqishëm në Parlamentin e Kosovës”, tha ai.
Limaj gjatë këtij aktiviteti zgjedhor përmendi edhe kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, i cili po gjykohet në Hagë nga Gjykata Speciale, për të cilin theksoi se do të kthehet faqebardhë në Kosovë.
“Si pjesëtarë të UÇK-së ne i përshëndesim dhe gjithë ata shokë që janë së bashku me bacën Jakup dhe jemi të bindur se gjithë ata burra do të kthehen faqebardhë në atdheun e tyre”, tha ai.
E, vëllai i Jakup Krasnqit, Avdyli, i cili po garon për deputet në listën e Nismës iu kërkoi qytetarëve drenicas të rreshtohen për fitoren e Nismës më 14 shkurt.
“Në emër tim dhe të gjithë kandidatëve të tjerë dhe në emër të kryetarit që me 14 shkurt të jepni kontributin tuaj më të madh dhe të rreshtoheni për fitore madhështore, e cila do të jetë një fitore e cila do të jep kontribut në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës për t’i mbrojtur vlerat e luftës dhe kauzën për të cilën kemi luftuar”, tha ai.
Krahas kësaj, Limaj adresoi kritika edhe për partitë politike, ku shtoi se disave po iu pengon zëri çlirimtar i Nismës në Kuvend.