Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se projekt-buxheti për vitin 2023 nuk përputhet me nevojat e qytetarëve dhe gjendjen që është Kosova sot.
Lekaj në seancën e sotme plenare, u shpreh i shqetësuar, siç tha për ankesën e komunave se ekzekutivi po cenon funksionimin e pushtetit lokal me buxhetin për vitin e ardhshëm.
“Para nesh, njërën anë kemi një gjendje ekonomike sociale në Kosovë që është futur në krizë, ndërsa në anën tjetër, kemi një buxhet që nuk përputhet me nevojat e qytetarëve dhe të ardhmen e shtetit tonë për vitin 2023. Shto këtu edhe ankesën e komunave se qeveria po e cenon funksionimin e pushtetit lokal me Projektligjin e buxhetit për vitin 2023”, tha ai.
Deputeti opozitar kritikoi edhe ministrin e Financave, që nuk e ka përfshirë në buxhet koston e projektligjit për paga.
“Ky buxhet nuk reflekton aspak me gjendjen që është sot Kosova. Janë disa argumente. Argumenti i parë është deklarata skandaloze e ministrit të Financave, ai del dhe iu thotë sektorit privat dilni dhe rrini rrogat se iu ka rritur fitimi. Përderisa në këtë buxhet dhe sesion nuk e ka sjell ligjin e pagave që e ka ai vet”, shtoi ai.
Krahas kësaj, Lekaj përsëriti qëndrimin e se në kuadër të këtij projekt-buxheti do të adresojnë një amendament për rritjen e pagave në sektorin publik për 30 për qind.