Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shprehur kundërshtimin ndaj vendimit të Qeverisë në lidhje me projektligjin për zyrtarët publikë dhe Këshillin e Pavarur Civil të Kosovës.
Deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj në një konferencë për media ka shprehur pakënaqësi për këtë vendim derisa tha se dje Qeveria e Kosovës i dha goditje këtyre institucioneve.
Manaj tha se pikërisht në momentin kur prisnin rritje të pagave në sektorin publik, qeveria i uli ato.
“Ulja e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët është njëra nga goditjet më të mëdha të Kosovës që i ka dhënë institucioneve të pavarura kushtetuese, kjo cenon punën e drejtësisë. Ulja e pagave nënkupton ikjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga sistemi i drejtësisë, ngadalësimin e rasteve për qytetarët e Kosovës, stimulim të korrupsionit në sistemin e drejtësisë”, tha Manaj.
Ai theksoi se Kuvendi i Kosovës duhet ta merr rolin e vet për ta ndalur pushtetin arbitrar e autokrat, dhe po ashtu presidentja Vjosa Osmani si njohëse e sistemit të drejtësisë duhet ta kundërshtojë këtë vendim.
Këtë vendim e ka kundërshtuar edhe deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj i cili tha se këtë vendim e shohin si çrregullim të sistemit.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës dje ka miratuar Projektligjin për paga dhe Projektligjin për zyrtarët publik. Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ekzekutivi ktheu pagat në sistemin e drejtësisë si para rritjes në vitin 2017 nga ish-Qeveria Haradinaj.