Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se Kosova po rrezikon të shkojë drejt mbylljes totale, për shkak të keqmenaxhimit të sistemit të vaksinimit dhe për shkak të dështimit në sensibilizimin e popullatës për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e vaksinimit.
LDK nëpërmjet Facebook ka theksuar se në kohën kur numri i rasteve me Covid ishte i vogël e termine për vaksinim kishte mjaft – Qeveria nuk bëri asgjë për të sensibilizuar opinionin për rëndësinë jetike të vaksinave.
“Sot, kur janë shënuar mbi 1000 raste të infektimit, dhe gjendja është alarmante – nuk ka termine të lira për vaksinim.Vetëm 10% e popullsisë së Kosovës janë të vaksinuar, sot. Jemi të fundit në Evropë. Mungesa e termineve e pushimet gjatë vikendeve – në gjendje alarmante të pandemisë – është shenjë se Qeveria s’ka as idenë e as vullnetin të bëjë më mirë. Kosova, po rrezikon të shkojë drejt mbylljes totale, për shkak të keq menaxhimit të sistemit të vaksinimit dhe për shkak të dështimit në sensibilizimin e popullatës për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e vaksinimit. Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron që një mbyllje tjetër eventuale për shkak të rritjes enorme të numrit të rasteve me COVID-19, do të ishte fatale për ekonominë e Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve të saj”, thuhet në reagim.