Lidhja Demokratike e Kosovës po vlerëson se në rastin me rezerva shtetërore, ku dyshohet se ka keqpërdorime, janë të përfshirë edhe përfaqësuesit më të lartë të Qeverisë. Përfaqësues të kësaj partie, duke përmendur këtë rast, por edhe raste të tjera, theksuan se ka elemente për një rrjet të mirë organizuar kriminal.
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, para mediave tha se rasti me rezervat shterërore, është pjesë e mozaikut në të gjitha institucionet të instaluara nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas tij, ky pushtet ka treguar paaftësi qeverisje dhe në anën tjetër ka treguar aftësi të jashtëzakonshme për kapjen e shtetit dhe shtrirjen e aktiviteteve kriminale.
“Të gjitha indikacionet nga ky rast, të gjitha faktet e publikuara deri tani, të gjitha ndërlidhjet, na japin shenja që ky nuk është vetëm një rast korruptiv. Të gjitha elementet na qojnë deri te një rrjet i mirë i organizuar i krimit, i cili e ka aprovimin e niveleve më të larta politike, besoj që e keni parë të publikuar edhe vendimin e datës 26 shkurt të vitit 2022, ku me vendim të Qeverisë, autoritetit të rezervave shtetërore iu jepet mundësia që të furnizojnë vendin me rezerva shtetërore edhe pa procedura të rregullta të prokurimit. Domethënë Qeveria Kurti me këtë vendim ua ka bërë më të lehtë dhe më të shpejt vjedhjen e këtyre rezervave të gjithë akterëve të cilët, tani për tani i kemi të arrestuar”, tha Rukiqi.
Ai përmendi rastin e përgjimeve të Mimoza Kusarit, për të cilin tha se duhet të hetohet, por përmendi edhe aferën e ambasadorit Martin Berishaj, i cili mori para nga Serbia dhe Nagip Krasniqin, tashmë i arrestuar për korrupsion me tenderët njëburimor.
“Kur flasim për tenderët një burimor, këta tender janë modeli biznesor i kësaj qeverie, në këtë mënyrë kanë zgjedhur të bëjnë biznes me kontrata të cilat janë jo transparente, me kontrata të cilat eliminojnë konkurrencën, është dëshmuar ditë më parë rasti i rrugës Podujevë-Prishtinë, 8 milionë për kompaninë e afërt me zëvendësministrin e infrastrukturës. Asamblistë të arrestuar për afera me tokë, Berat Lahu dhe me subvencione Liridon Fandaj, ish drejtor të arrestuar Faruk Mujka dhe Hysen Musliukaj, të cilët jo vetëm që janë arrestuar por tek të njëjtit janë gjet edhe shuma të mëdha parash, në një rast 50 mijë euro. Besnik Mujevci që nuk është harruar…i afërt me kryeministrin dhe me njerëz të rëndësishëm të Lëvizjes Vetëvendosje dhe me ministrin e Brendshëm, arrestohet për trafik droge në një rrjet të trafikut rajonal. Nepotizmi me qindra raste në qeveri të dëshmuara tani, në komuna ku qeveris Vetëvendosje, në ndërmarrje publike, kemi shumë njerëz të zgjedhur pa kritere, të vetmin kriter që e kanë plotësuar ka qenë amini i nivelit të lartë të LVV-së që qeverisë me vendin”, tha ai.
LDK sipas tij, inkurajon organet e rendit që të zbatojnë punën e tyre të pavarur në të gjitha rastet korruptive.
“ Të gjitha faktet e publikuara deri tani na bëjnë të besojmë që në aferën e rezervave shtetërore, kemi të bëjmë me përfshirjen të niveleve më të larta politike të kësaj qeverie, prandaj edhe hetimet nuk duhet të ndalet tek zyrtarët dhe tek sekseri Ridnavi por duhet të përfshijë të gjitha nivelet e qeverisjes. Dorëheqja për ministren nuk mjafton, e njëjta duhet të largohet nga ai vend dhe të jep përgjegjësi para organeve të rendit”, tha ai, duke bërë thirrje pozitës që të mos sulmojë institucionet e rendit dhe drejtësisë.
Ai shtoi se do të kërkojnë në Kuvend themelimin e një komisioni për rastin e rezervave të vendit.