UBT News

​LDK mirëpret vendimin e KQZ-së për lejimin e votimit me letërnjoftim të skaduar

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e KQZ-së për lejimin e qytetarëve për votim edhe me letërnjoftim të skaduar. Kjo parti ka bërë thirrje për respektim të të gjitha rregullave zgjedhore, përfshirë edhe heshtjen zgjedhore.

Zëdhënësja e shtabit zgjedhor të LDK-së, Ardita Dushi në konferencën e tretë, tha se ky vendim është i drejtë, meqë gjatë pandemisë qytetarët nuk kanë pasur mundësi të pajisen me letërnjoftime të reja.

“Ky vendim ka ndodhur për shkak të pandemisë dhe qytetarët si pasojë e saj nuk kanë pasur mundësi të pajisen me letërnjoftime të reja. Në këto orë që kanë mbetur, pavarësisht të ftohtit dhe borës, Lidhja Demokratike e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të shkojnë në qendrat e votimit dhe të ushtrojnë të drejtën dhe obligimin qytetarë për të votuar për përfaqësuesit e tyre”, ka thënë ajo.

Këtë të drejtë dhe obligim qytetar, Dushi tha se duhet ta ushtrojnë në mënyrë demokratike dhe civilizuese.

“Me vullnetin e tyre të lirë në ditën e sotme, qytetarët e Kosovës do të përcaktojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre. Do të votojnë për një Kosovë të zhvilluar, për integrim në Bashkim Evropian dhe për miqësi të përjetshme me partnerët tanë euro-atlantik. LDK nga ky proces zgjedhor pret demokratizim të mëtejmë të vendit për zhvillim ekonomik. Për prosperitet dhe për forcim të shtetit të Kosovës”, ka shtuar ajo.

Veç tjerash tha se kjo parti bën thirrje për respektim të të gjitha rregullave zgjedhore, përfshirë këtu edhe heshtjen zgjedhore.

Exit mobile version