UBT News

​LDK kritikon Qeverinë se nuk ka zhvilluar mjaftueshëm dialog për liberalizimin e vizave

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerësoi se Qeveria e Kosovës nuk ka zhvilluar mjaftueshëm dialog me shtetet e Bashkimit Evropian për ta arritur vendi liberalizimin e vizave.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri theksoi se Qeveria e Kosovës nuk ka strategji në politikën e jashtme.

Në një konferencë për media, Tahiri theksoi se Qeveria nuk po e shfrytëzon rastin që e ka për ta arritur liberalizimin.

“Më shqetëson fakti nëse Qeveria e Kosovës nuk ka pasur informacion mbi kërkesat e reja të shteteve anëtare të BE-së, qoftë kërkesa teknike. Qeveria jonë nuk ka zhvilluar mjaftueshëm dialog me vendet anëtare veç e veç, por po ashtu e vërteton se Qeveria është pa strategji në politikën e jashtme. Qeveria duhet t’i marrë obligimet e saj dhe të garantojë që mundet t’i përmbushë obligimet e saj. Qeveria e Kosovës duhet ta shfrytëzojë momentumin historik, edhe të luftës në Ukrainë, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, thekson Tahiri.

Ish-kryetari i Vushtrrisë tha se Vetëvendosja ua humbi shansin qytetarëve për vizat pikërisht në vitin 2016.

“Është kjo Qeveri, kjo shumicë që në vitin 2016 e bllokoi liberalizimin, sot është fat që në Kosovë nuk kemi asnjë parti politike që kundërshton përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave siç ishte rasti më 2016 kur VV-ja ia humbi këtë rast Kosovës dhe qytetarëve të saj”, theksoi ai.

Tahiri ka folur edhe për raportin për vendin, ku tha se disa herë në disa fusha është cekur se nuk ka pasur progres në Kosovë më 2022.

“Komisioni Evropian përmes Raportit të progresit 2022 e konfirmoi se në Kosovë nuk ka progres në fushat kyçe të vlerësimit për procesin e integrimit evropian të Kosovës. Ky raport e konfirmon atë që LDK-ja e ka thënë vazhdimisht. Në Kosovë nuk ka progres, në fushat kyçe, pra nuk ka zhvillim në sektorë të ndryshëm, të ekonomisë, shëndetësisë, në drejtësi e në siguri. Në asnjë fushë të vlerësimit për Kosovën për fat të keq Komisioni Evropian nuk konstaton se ka progres të mirë… Më e rëndësishmja është dështimi i madh në shëndetësi. Raporti për Kosovën e konfirmon situatën e rëndë për qytetarët e Kosovës në sektorin e shëndetësisë”, tha ai.

Tahiri tha se në Raportin për vendin, 26 herë përsëritet fjala “Nuk ka progres”. Sipas tij, 32 herë përmendet se në sektorë të ndryshëm Kosova është në “Fazë të hershme”. Tahiri vlerësoi se në këtë raport zero herë konstatohet “Progres i mirë”, dhe zero herë konstatohet “Progres shumë i mirë”.

Exit mobile version