UBT News

​LDK apelon për furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike në të gjitha qendrat e votimit

Shefi i shtabit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme kur po votohet për kryetarë të komunave, është identifikuar mungesa e energjisë elektrike në disa qendra të votimit.

Gashi në konferencën e parë të LDK-së për media, apeloi te KEDS-i dhe KQZ-ja që të sigurojnë furnizim të vazhdueshëm të të gjitha qendrave të votimit dhe të vendvotimeve me rrymë, përndryshe theksoi se mund të ketë probleme për shkak të territ.

“Problemet më të mëdha që janë vërejtur lidhen me energjinë elektrike, që ka munguar në disa qendra të votimit. Shpresoj që kjo të mos përsëritet dhe të mos jetë problem i pasdites sepse pasdite fillon të terrohet dhe mund të vijë deri te problemi. Ftoj KEDS-in dhe KQZ-në që të jenë të kujdesshëm që të gjitha qendrat e votimit dhe vendvotimet të jenë të pajisura me energji elektrike në mënyrë që procesi zgjedhor të shkojë mirë”, tha ai.

Sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje, shefi i shtabit zgjedhor të LDK-së, tha se bazuar nga të dhënat e komisionerëve dhe vëzhguesve që kanë në teren, përqindja e qytetarëve që kanë votuar është e ngjashme me atë të vitit 2017. Ai u shpreh optimist se një pjesë e konsiderueshme e komunave do të marrin rezultatet sot dhe nuk do të shkojnë në balotazh.

“Deri më tash, sipas vlerësimeve tona, pjesëmarrja në zgjedhje është ngjashëm me proceset e kaluara zgjedhore, diku 10 përqind e qytetarëve kanë votuar dhe pritet që të shtohet fluksi në orët e pasdites. Si shtab i LDK-së, i ftojmë qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën për votë… Ne presim që një pjesë e konsiderueshme e komunave të marrin rezultatin sot dhe të mos kenë një balotazh. Pritshmëria jonë është pozitive dhe kënaqshmëria jonë me indiciet e para është pozitive dhe po angazhohemi që secili qytetarë të dalë të votojë dhe t’i jap një qeverisje të mirë komunës së vet”, tha ai.

Gashi ftoi të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Exit mobile version