Zëvendëskryeministrja e Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejta e Njeriut, Emilija Rexhepi, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi kanë takuar kryetarin e komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Ministri Latifi nga aty tha se zbutja e masave antiCOVID, të cilat pritet të miratohen sot janë konform gjendjes epidemilogjike në vend.
Zëvendëskryeministrja, Rexhepi pas këtij takimi tha se si Qeveri janë të pa diskriminuar karshi komuniteteve. Ajo u shpreh e kënaqur me ofrimin e shërbimeve për pakicat në komunën e Podujevës.
“Si pjesë e Qeverisë jemi të pa diskriminuar për komunitetet, e shohim situatën në terren dhe gjendjen aktuale dhe me intervenuar urgjent edhe në komunën e Podujevës nuk kemi parë diskriminim për shërbimet e komuniteteve”, tha ajo.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u shpreh i lumtur që tashmë në këtë komunë shumica janë vaksinuar dhe gjatë këtij viti nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes si pasojë e infektimit me COVID.
Latifi përsëriti se sot Qeveria do të miratojë lehtësimin e masave antiCOVID, për të cilat tha se janë konform gjendjes pandemike në vend.
Ministri i Shëndetësisë në këtë takim me të parin e Podujevës u shpreh se kanë diskutuar edhe rreth ndërtimit të Spitalit të Podujevës.
“Sot sipas të gjitha gjasave do t’i zbusim masat qe janë konform gjendjes epidemiologjike në Kosovë. Ne biseduam edhe për disa projekte të tjera siç është spitali i Podujevës dhe fillimin në faza të ndryshme të punës por edhe fillimi i ofrimit të shërbimeve specialistike të ndryshme prej kirurgjisë, dializës e të tjera”, tha ai.
I pyetur se pse u pendua dhe lehtësoi masën për hyrje në Kosovë, e cila ishte me tri doza të vaksinës, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi tha se kurrë nuk janë kërkuar domosdoshmërisht tri dozat e vaksinës për të hyrë në Kosovë.
“Kurrë nuk janë kërkuar tri vaksina, me tri vaksina ke pasur lehtësira të mëdha vetëm ke hyrë drejtpërdrejtë nëse ke pasur dy vaksina është dashur me pas testin iu lutem lexoni më mirë herën tjetër”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se rreth 70 përqind e banorëve të komunitetit shqiptar në këtë komunë janë vaksinuar me dy dozat e vaksinës antiCOVID. Ndërsa, shtoi se rreth 80 përqind e komunitetit RAE tashmë janë imunizuar karshi COVID-19.
“Komuna jonë qëndron në mënyrë solide sa i përket vaksinimit më vaksinën e parë dhe të dytë diku 67, 70 përqind e popullsisë mendohet që janë të vaksinuar deri tani komuniteti RAE diku rreth 80 përqind janë të vaksinuar me vaksinën e parë dhe të dytë. Në vazhdën e këtij takimi është biseduar edhe për mundësinë e vazhdimit të projektit të Spitalit të Podujevës dhe mundësia për dhënie të shërbimeve terciare për qytetarët”, tha ai.
Komiteti për menaxhim të situatës pandemike në mbledhjen e djeshme ka rekomanduar lehtësim të masave antiCOVID. Masat pritet sot të miratohen nga Qeveria e Kosovës, ndërsa pritet të hyjnë në fuqi nga nesër.
Me lehtësim të masave qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të kenë dy doza të vaksinës antiCOVID, apo një dozë dhe testin PCR. Po ashtu, ora policore tani është zhvendosur në orën 24:00, ndërsa orari i punës së gastronomisë është shtyrë deri në orën 23:00.