Kryetari i rizgjedhur i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi sot ka dhënë betimin për kryetar të kësaj komune.
Kryetari Latifi në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal të Rahovecit, tha se do t’iu shërbejë qytetarëve me nder, përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie.
Derisa shtoi se do të vazhdojnë me përpjekje që të dalin faqebardhë para qytetarëve për një komunë të fortë dhe të zhvilluar.
“Qeverisja e mirë, demokratike, transparente dhe llogaridhënëse përmbush në masë të madhe kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të komunës. Prandaj, do të vazhdojmë me përpjekjet e vendosura që të dalim faqe e bardhë para qytetarëve tanë. Të gjithë e duam një komunë të fortë, të zhvilluar, të përparuar dhe të gjithë qytetarët të ndihen të përmbushur, të respektuar dhe krenar që i takojnë kësaj komune me njerëz të vyeshëm e punëtorë”, theksoi Latifi.
Kryetari Latifi ka thënë po ashtu se në mandatin e tij katër vjeçar prioritetet kryesore mbesin bujqësia, ekonomia dhe mbështetja e prodhuesve në Rahovec.
“Ndër prioritet tona kryesore do të vazhdojë të jetë bujqësia, pasuar nga ekonomia dhe përkrahja e prodhuesve, agroturizimi dhe krijimi i kushteve për punësim përmes industrisë së agropërpunimit. Do të punojmë për një administratë sa më bashkëkohore me shërbime të shpejta dhe cilësore, si dhe do të përkujdesemi që arsimi, shëndetësia, dhe përkujdesja sociale të jenë ndër çështjet ku do të fokusohemi me përkushtim dhe seriozitet”, tha ai.
Pas dhënies së betimit kryetarin Latifi, në zyrën e tij e uruan atë për mandatin katërvjeçar familjarë, miq e bashkëpunëtor.
Kujtojmë se Latifi në zgjedhjet për balotazh të 14 nëntorit doli fitues ndaj kundërkandidatit të tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Visar Korenica.