UBT News

​Largohet guri përkujtimor i Nanë Pashkes në Gjakovë

Guri përkujtimor i Pashke Markut, nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të bijve të saj të vrarë dhe të djegur nga kriminelët serbë, është larguar nga një pronë private në Korenicë të Gjakovës.

Shkrimtari Ag Apolloni, i cili e ka bërë të ditur lajmin, ka thënë se guri është larguar nga pronari i tokës.

Studiuesi Apolloni ka thënë se ai gur është pjesë e kujtesës kolektive kombëtare, derisa ka kërkuar që i njëjti të kthehet në vend.

“Lus Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës ta mbrojnë këtë simbol, duke e kthyer gurin aty ku ka qenë, në atë arë të Korenicës (Gjakovë). Ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare (sepse pronari është frikësuar se aty mund të ngritet një kishë, pavarësisht se familja e Pashkës e ka siguruar që nuk do të ngritet asnjë kishë aty), dhe për arsye politike, se s’i paska pëlqy që kryeministri e paska shkelë arën e tij, kur ka bërë homazh te guri.Ai gur nuk është objekt fetar, as nuk është gurthemel kishe, as që ka të bëjë fare me politikë. Çdo kryeministër në të ardhmen duhet të bëjë homazh tek ai gur. Ai gur është simbol i një tragjedie kombëtare”, ka shkruar ndër të tjera Apolloni.

Më pas, lajmi është konfirmuar edhe nga familjarë të Markut.

“Asnjë shkëmb nuk do mund ta përshkruante dhimbjen e Nanës Pashkë për bijtë e vrarë nga forcat armike serbe dhe as një gur i hequr nuk mund ta zbehë kurrë sakrificën dhe mesazhin e saj për Boten me aktin e Vetëflijimit”, ka shkruar Flamur Marku.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje në Gjakovë, duke theksuar se një veprim i tillë nga ana e pronarit është i papranueshëm.

“Një akt i tillë nga pronari i tokës i cili fillimisht kishte pranuar vendosjen e asaj shenje përkujtimore në tokën e tij, ndërsa tani pa një arsye të qëndrueshme dhe logjike vendosë të bëjë një akt të tillë, është i pa pranueshëm dhe i dënueshëm, ngase tragjedia e Nënës Pashke dhe familjes Marku nuk është vetëm e tyre, por është tragjedia jonë si popull, andaj përdhosje të tilla nuk mund të tolerohen. Ju bëjmë thirrje fillimisht pronarit të tokës e më pas institucioneve vartëse, që sa më parë të mirren masat adekuate dhe ajo shenjë përkujtimore të kthehet në vendin e saj”, është theksuar në reagim.

Exit mobile version