I dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti tha se kanë biseduar për rrugën drejt normalizimit, çështjen e targave dhe energjinë. Duke përmendur afatin për targat që është 31 tetori, Lajcak tha se është e rëndësishme të dinë se cilat janë planet dhe të shmangin çdo situatë që mund të përshkallëzohet. Për dialogun, ai theksoi se ekziston një dritare mundësie deri në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ato evropiane që mbahen në vitin 2024.
Përveç me kryeministrin Kurti, Lajçak ka zhvilluar takim edhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
“Pika numër një ishte rruga përpara për normalizimin dhe vazhdimin e diskutimit tonë që nisëm së fundmi, i cili vazhdoi edhe me ndërhyrjen e presidentit Macron dhe kancelarit Scholz dhe telefonatës së sekretarit Blinken dhe diskutojmë hapat e ardhshëm. Dhe pastaj ne kemi edhe pikën e dytë të rendit të ditës ku janë çështjet aktuale dhe veçanërisht çështja e energjisë, dhe çështja e targave, sepse për targat, siç e dini, afati është më 31 tetor dhe është shumë e rëndësishme për ju dhe që ne si Bashkim Evropian dhe Komuniteti Ndërkombëtar të dimë se cilat janë planet dhe të shmangim çdo situatë që mund të përshkallëzohet, sepse kjo nuk është në interesin e askujt”, tha Lajçak.
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi tha se ka një kalendar politik unik sa i përket normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Ai tha se para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian ka një mundësi të mirë, meqë sipas tij në periudhën e zgjedhjeve prioritetet janë diku tjetër dhe kjo nuk është e mirë për dialogun.
“Ne kemi Aleancën unike të Bashkimit Evropian-Shtetet e Bashkuara të mbështetur fuqishëm nga Mbretëria e Bashkuar, të fokusuar në dialog dhe të gjithë jemi të gatshëm të shohim dialogun duke prodhuar normalizim. Kjo është vërtet mirë sepse kur kemi zgjedhje evropiane dhe kemi zgjedhje në ShBA, atëherë prioritetet janë diku tjetër dhe nuk është mirë për dialogun. Prandaj nuk do të thosha se viti i ardhshëm është vendimtar, që kam thënë më shumë se një herë që kemi këtë dritare mundësie, e cila do të zgjasë deri në zgjedhjet evropiane dhe zgjedhjet në ShBA në vitin 2024. Dhe mendoj se është përgjegjësia jonë të mos e humbim këtë dritare të mundësive. Dhe e dyta, unë jam ai që jap vlerësimin e dialogut, kjo është pjesë e mandatit tim dhe e respektoj plotësisht mandatin e komisionerëve kur bëhet fjalë për vlerësimin e progresit dhe procesit të zgjerimit”, tha Lajcak.
Ai tha se të hënën do të jetë në Beograd për të diskutuar për çështjet që ai i quajti të hapura dhe për të cilat tha se synon të gjejë zgjidhje.
“Kur është fjala për energjinë, jemi në proces konsultimesh. Ekziston rreziku t’i tërhiqet licenca Electroserver-it, gjë që ne nuk duam të ndodhë, prandaj ftova të gjithë palët si KEDS e Electroserver në Bruksel të hënën, ku kemi kaluar gjithë ditën duke diskutuar situatën dhe përsëri ishte e rëndësishme për mua tani që këto përfundime, do të them, për këto diskutime t’ia sjell kryeministrit dhe të diskutoj rrugën përpara dhe të hënën do të jem në Beograd, pikërisht me të njëjtin synim me të njëjtën agjendë dhe me të njëjtat çështje, dhe unë me të vërtetë dua të gjej zgjidhje për çështjet që janë ende të hapura”, tha ai.
Ndërsa nga Qeveria e Kosovës nuk janë deklaruar pas këtij takimi.