UBT News

​Lajçak i dërgon letër Kurtit: Shpresoj të punojmë së bashku drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar letër urim nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në letër urimin drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Lajçak e ka uruar atë për postin e ri dhe është shprehur i bindur se udhëheqësia dhe përvoja e gjatë politike e Kurtit do t’i shtojnë vlerë institucioneve në Kosovë.

Tutje në këtë letër Lajçak është zotuar që do t’i mbështesë të dy palët për t’i vazhduar takimet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Në cilësinë time si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, shpresoj të punojmë së bashku drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Unë zotohem vendosmërisht që do t’i mbështes të dy palët për t’i vazhduar pa vonesa takimet në kuadër të Dialogut me Beogradin, të lehtësuar nga BE-ja. Vazhdimi i Dialogut do të na mundësojë të bëjmë progres i cili do të sjellë dobi për të dy palët në vitet që vijnë. Mezi pres të ju takoj në Bruksel, posa situata të na lejojë, dhe të diskutojmë personalisht për punën tonë të përbashkët që na pret”, thuhet në letrën që Lajçak i ka dërguar Kurtit.

Exit mobile version