Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është shfaqur optimist se dialogu me Serbinë do të përfundojë nën mandatin e qeverisë së ardhshme.
Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, Lajçak tha se ka marrë mesazhe të qarta nga fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit se dialogu do të vazhdojë.
Duke dhënë disa mesazhe të tija, Lajçak sqaroi edhe paraqitjen e tij prapa një harte ku Kosova shihet vetëm me vijë administrative në kufirin me Serbinë.
“Mesazhi i parë është që të uroj institucionet e Kosovës për zgjedhjet parlamentare të rregullta të cilat për herë të parë janë mbajtur pa ndonjë rol aktiv të komunitetit ndërkombëtar. E po ashtu t’i përgëzojë partitë politike për pranimin e rezultateve menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve. Mesazhi i dytë është që Bashkimi Evropian dhe ShBA janë në një partneritet dhe me ardhjen e administratës Biden, marrëdhënia është më e afërt dhe dëshirojmë që ta arrijmë qëllimin e njëjtë që është e ardhmja evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Mesazhi i tretë është mbështetja e programit elektoral të zotëri Kurtit dhe zonjës Osmanit. BE është e gatshme të mbështesë dhe të krijojë vende të reja të punës, investimet e reja dhe luftimin e korrupsionit. Mesazhi i katërt është që vendet e BE-së dhe ShBA presin vazhdimin e procesit të dialogut. Nga dy takimet e mia me zotëri Kurtin dhe Osmanin për atë se ku jemi me procesin e dialogut dhe çka kemi arritur, posaçërisht pas vazhdimit në korrik dhe cilat janë hapat e tjerë që i parashohim. Përfundimi i këtyre takimeve është se dialogu do të vazhdojë, duhet të krijohen disa procedura, por ka mirëkuptim për vazhdimin e dialogut. Mesazhi i pestë është për unitetin politik në Kosovë për dialogun pasi është përgjegjësi e të gjitha partive”, tha ai.
Lidhur me afatet kohore për përfundimin e dialogut, Lajçak përmes një konference për medie tha se varet nga Kosova dhe Serbia.
“Besoj se do ta kompletojmë këtë proces me një marrëveshje gjatë mandatit të zotëri Kurtit dhe Osmanit. Nuk shoh pengesa në këtë rrugë”, tha ai.
Sa i përket paraqitjes së tij prapa një harte ku Kosova paraqitet vetëm me vijë administrative në kufirin me Serbinë, Lajçak tha ajo është harta zyrtare që i është dhënë nga institucionet e Bashkimi Evropian.
“Për çështjen e hartës e kam sqaruar. Një zyrtar i BE-së duhet të përdorë vetëm harta zyrtare të BE-së. Kjo është harta që na kanë dhënë. Ndarja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në atë hartë është e qartë. Kjo ka krijuar një reaksion emocional, por do të ishte jo serioze nëse unë do të vendosja harta të tjera. Duhet të respektoj pozitën e BE-së. Kjo është dëshmi se kemi nevojë për dialog”, tha ai.
Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, Lajçak takoi edhe liderët e tjerë politikë dhe institucionalë.