UBT News

​Lajçak dhe Palmer takojnë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer, kanë nisur ditën e dytë të vizitës së tyre në Kosovë duke takuar përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare në Kosovë.

Në një postim të bërë pak minuta më parë në llogarinë e tij në ‘Twitter’, Lajçak ka bërë të ditur se mëngjesin e sotëm janë njoftuar për aktivitetet e tyre në terren.

“Së bashku me mikun tim të mirë, Matt Palmer, e nisëm ditën e dytë të vizitës me një mëngjes të dobishëm me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë. Si përherë, një pasqyrë mjaft e mirë për aktivitetet e tyre në terren”, ka shkruar Lajçak në postimin e tij.

Pas pak minutash, Lajçak dhe Palmer pritet të mbajnë një konferencë të përbashkët për media në selinë e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Të njëjtit, gjatë ditës së djeshme kanë zhvilluar takime të njëpasnjëshme me përfaqësuesit institucional në Kosovë, nisur nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti si dhe ministrja e jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz. Derisa, Palmer, i vetëm ka takuar edhe përfaqësuesit opozitarë, duke nisur nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, si dhe përfaqësuesit e Listës Serbe në Kosovë. Në këto takime është diskutuar për dialogun, bashkëpunimin rajonal dhe agjendën europiane të Kosovës.

Pikërisht për të diskutuar çështjen e dialogut, Lajçak dhe Palmer ishin takuar më 26 maj në Bruksel.

Exit mobile version