Në mungesë të kuorumit në Kuvend, është ndërprerë seanca e sotme plenare. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kritikuar deputetët opozitarë për mos pjesëmarrjen në miratimin e Projektligjeve në seancën e sotme të Kuvendit.
Përmbajtja nga votimi i opozitës bëri që kryeparlamentari të shprehë vullnetin për ndërprerje të seancën plenare.
Mirëpo reaguan deputetët nga opozita që i kërkuan mos të bëjë një gjë të tillë, pasi në rend të ditës është edhe tërheqja e kursimeve pensionale nga Trusti. Por pavarësisht kësaj, kryeparlamentari u shpreh i vendosur në ndërprerjen e seancës.
“Nëse nuk kalon as ligji tjetër a e ndërpremë seancën krejt, pasi s’ka kuptim kështu. Çfarë trusti, votoni për projektligje, po e ndërpres, s’ka trust. Ose funksionon Kuvendi, ose jo. Po e ndërpres vëlla, ditën e mirë”, tha ai.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në lexim të dytë vetëm Projektligjin për akcizën në produktet e duhanit. Ndërsa dështuan të miratoheshin Projektligji për Këshillin Prokurorial, Projektligji për markat tregtare dhe Projektligji për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.