Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë seancën e parë plenare për sesionin vjeshtor të enjten më 15 shtator, ku do të mbahet debati parlamentar për grevat e përgjithshme në vend.
Kjo u caktua me vendim të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, pasi në mbledhjen e së hënës së Kryesisë së Kuvendit nuk pati kuorum për vendimmarrje për shkak të mungesës së nënkryetares nga Lëvizja Vetëvendosje dhe atij nga Lista Serbe.
Partia Demokratike e Kosovës, që inicioi debatin parlamentar, por edhe AAK kritikuan Qeverinë për mungesë të dialogut social me sindikatat, kryesisht për shkak, siç thanë të kryeneçësisë nga kryeministri Albin Kurti.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se palët duhet të diskutojnë për të gjetur një zgjidhje, pasi dëmi më i madh po iu bëhet nxënësve dhe arsimit në përgjithësi.
“S’ka si të fillojë ndryshe ky sesion vjeshtor parlamentar pa një debat rreth grevave në Republikën e Kosovës. Kjo është java e tretë, e hëna e tretë që do të duhej të fillonte mësimi, por si rezultat i një kryeneçësie nga kryeministri dhe Qeveria e Kosovës, mungesë të një dialogu social me sindikatat kemi ardhur në një situatë ku greva po vazhdon dhe ata që po humbin më së shumti janë fëmijët tanë”, tha ai.
Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri paraqiti disa nga prioritetet e tyre në sesionin e ri vjeshtor të Kuvendit. Ai tha se është i domosdoshëm miratimi i Projektligjit për paga dhe zbatimi i tij prej datës 1 janar 2023.
Për sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ai tha se duhet të përfundojë me njohje reciproke në lidershipin e ShBA-së.
“Në këtë sesion vjeshtor i kemi disa prioritete. Prioriteti i parë për ne është miratimi i Projektligjit për paga dhe fillimi i zbatimit të tij më 1 janar. Nuk ka logjikë që ky ligj të vazhdojë të jetë në konsultime publike dhe të thuhet se do të hyjë në fuqi vetëm në fund të vitit të ardhshëm. Pra, prioriteti i parë është miratimi, sjellja në Kuvend, diskutimi dhe hyrja në fuqi më 1 janar. Çështja e dytë është aspekti që ndërlidhet me energji. Ju e dini se ne kemi pasur tryeza, diskutime dhe debate. Mendojmë se ngritja e vetëdijes, debatit në Kuvend rreth kësaj teme është me rëndësi të veçantë. E treta ka të bëjë me sektorin që neve të sektorit publik na i japin rrogat, i cili është sektori privat. Ekonomia, bizneset e mesme dhe të vogla janë buzë falimentimit. Mos trajtimi i kësaj teme dhe neglizhimi i sektorit privat është problematik…Çështja e dialogut po ashtu është e një rëndësie të veçantë. Ne kërkojmë që sa më shpejt që është e mundshme që Kosova të arrijë një marrëveshje finale, e cila është ligjërisht e obligueshme dhe krijon njohjen reciproke në lidershipin e ShBA-së”, tha Tahiri.
Ndërsa, ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se në seancën e së enjtes do të jenë në rend të ditës edhe tri projektligje për FSK-në.
“Projektligji në lexim të parë për shërbimin në Forcën dhe Sigurinë e Kosovës. Projektligji në lexim të parë për FSK-në dhe Projektligji në lexim të parë për Ministrinë e Mbrojtjes”, tha ajo.
Pas pushimit mbi një mujor, Kuvendi sot i është rikthyer punës, duke filluar sesionin vjeshtor.