Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar planin e veprimit për zbatimin e fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës për agjendën për Reforma Evropiane.
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi tha se qëllimi i ERA II është që t’i jepet vëmendja më e lartë politike realizimit të reformave kyçe ekonomike, për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe konsolidimin e qeverisjes së mirë.
“Plani i veprimit ERA II është rezultat i përpjekjeve tona të përbashkëta në nivelin më të lartë politik për të intensifikuar zbatimin e reformave kyçe me qëllim përmbushjen e detyrimeve nga MSA-ja. Negociatat me BE-në për prioritete janë përmbyllur pasi kemi marrë detyrën, ndërsa pas kësaj është përgatitur plani i veprimit…Qëllimi i ERA 2 është që t’i jepet vëmendja më e lartë politike e realizimit të reformave kyçe ekonomike për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe konsolidimin e qeverisjes së mirë. Të shërbejë si instrument për zbatimin e MSA-së dhe reformave të të tjera fondamentale”, tha ai.
Përkrahje këtij plani të veprimi i dhanë edhe grupet parlamentare opozitare.