Kuvendi i Kosovës me 89 vota pro ka miratuar marrëveshjen ndërkombëtare me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) për programin Kompakt të energjisë.
Përkrahje ratifikimit të kësaj marrëveshje i dhanë gjitha grupet parlamentare, megjithatë, partitë opozitare, theksuan se Qeveria Kurti ka më së paku merita për të njëjtën, derisa edhe potencuan se më mirë do të ishte të nënshkruhej marrëveshja për gazsjellësin.
Duke prezantuar marrëveshjen, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se programi Kompakt paraqet investimin më të madh në sektorin e energjisë që nga paslufta.
Ai tha se vlera e këtij grandi amerikan është 202 milionë dollarë, ndërsa, Qeveria e Kosovës është zotuar se do të mbështetë me 34.7 milionë dollarë, duke quar në total 236.7 milionë dollarë.
“Programi Kompakt paraqet investimin më të madh në sektorin e energjisë që nga paslufta dhe është shtyllë e vazhdimit të marrëdhënieve strategjike dhe përherë më të fuqishme me ShBA-të. ShBA-të përmes MCC-së janë pajtuar t’i japin Kosovës grand në vlerë prej 202 milionë dollarëve, që është granti më i madh i njëhershëm në histori të Kosovës së pasluftës. Qeveria e Kosovës është zotuar se do të mbështesë programin me 34.7 milionë dollarë, si bashkëfinancim, duke e çuar vlerën totale të tij në 236.7 milionë dollarë. Programi Kompakt synon të stabilizojë situatën me energji elektrike, të zhvillojë fuqi punëtore profesionale dhe gjithëpërfshirëse në energji, si të mbështesë sektorin privat në investimet në energji. Zhvillimi, negocimi dhe së fundmi nënshkrimi i kësaj marrëveshje paraqet një bashkëpunim serioz me shembullor mes Republikës së Kosovës dhe ShBA-së si aleatin tonë kryesor”, tha ai.
Megjithëse shprehu përkrahjen për këtë marrëveshje, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se më mirë do të ishte projekti i gazsjellësit.
“Ky projekt në Kosovë është tash e shtatë vite. Negociatat për këtë projekt i kanë filluar nga ish-presidentja Jahjaga dhe ish-kryeministri Thaçi dhe është finalizuar në vitin 2017 me nënshkrimin e parë të këtij projekti nga Thaçi në Kongresin amerikan. Ky grant që është nënshkruar me Kosovën është ndarë në vitin 2019. Është fatkeqësi për Kosovën që s’kemi filluar më herët implementimin për shkak të krizave politike, por megjithatë është lajm i mirë për ekonominë e vendit dhe marrëdhëniet me ShBA-të. Më vjen keq që nuk e kemi kryeministrin këtu, me pa se si ndihet ai përballë një projekti që është zhvilluar në kuadër të këtij 20-vjeçari, si ndihet ai përballë nënshkrimit të kësaj marrëveshje që ka filluar të negociohet në vitin 2014. Megjithatë, prapë po e them se ne e mbështesim dhe shpresojmë se ashtu siç është paraparë, deri në vitin 2027, ky projekt të implementohet. Më duhet të them se si GP i PDK do të ishte shumë më mirë të qëndronim në versionin e parë për sjelljen e gazsjellësit në Kosovë. Ju keni vendos që ky investim të bëhet në bateri dhe ruajtje të energjisë, ose siç thoshte Kurti ‘nuk kemi frigorifer për të ruajtur energjinë elektrike’. Tash frigoriferët po i sjellë, po prapë mendojmë se më mirë ka qenë të qëndrojmë në projektin e gazsjellësit”, tha ai.
Kjo marrëveshje sipas deputetes së LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka mundur të ndodh dy vite më parë.
“Ne e kemi përshëndetur vizitën e presidentes dhe kryeministrit në ShBA dhe kemi kërkuar që kjo vizitë të ndodh sa më herët. Vazhdimisht kemi kërkuar që mos të dëmtohen këto relacione me ShBA-të, siç ka ndodhur me deklaratat e pamatura të kryeministrit Kurti, kur fliste për ‘shtëpinë e kuqe’, Amerikën dhe duke u përplasur me figurat kryesore të ShBA-së. Ne si LDK, kur nënshkruam marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë nuk ka pasur fjalë fyese, ndërsa ju kur zotëri Hoti ka nënshkruar marrëveshje keni fyer dhe e keni bërë tradhtar. Tash kjo marrëveshja ka ndodhur dhe ne e mbështesim, por e njëjta ka mundur të ndodh edhe para shumë kohe, para dy vite e gjysmë”, tha ajo.
Ndërkohë, deputet i AAK-së, Pal Lekaj tha se Qeveria Kurti e ka reduktuar marrëveshjen me MCC-në.
“Kjo marrëveshje është lajm i mirë për Kosovën. Implementimi i projektit me MCC-në është shumë i mirë dhe vjen në një momentum shumë të mirë për vendin, pasi ka të bëjë drejtpërdrejtë me fuqizimin e sektorit të energjisë, kur kemi parasysh krizën që po e kalojmë në këtë vend. Qeveria mirë do të ishte të kishte pranuar menjëherë këtë marrëveshje dhe jo pas presioneve të vazhdueshme që i kemi bërë. Por më mirë vonë se kurrë. Ajo çka mund të ndërlidhi, ju e keni reduktuar mjaft këtë marrëveshje, e keni shndërruar në bateri, por nëse e krahasojmë me gazin amerikan, kjo është e mirë për vendin, por është reduktuar në maksimum. Ju keni menduar të shndërroni partneritetin me ShBA në një subjekt politik, apo më mirë të them atëherë vetëm kur t’iu konvenon juve dhe jo interesit të qytetarëve të Kosovës… Është për të ardhur keq se sa herë kemi pasur marrëveshjet, VV-ja ka bërë shaka e sidomos kryeministri duke e quajtur ‘Amelika’, ‘Amelika’. Është për të ardhur keq”, potencoi ai.
Ndërkohë, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se kjo marrëveshje shënon dëshminë e partneritetit të pathyeshëm mes Kosovës dhe ShBA-së.
“Kjo shënon dëshminë e partneritetit të pathyeshëm mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shtetit tonë. Ky projekt do ti sjell Kosovës 236.7 milionë dollarë grant. Është një lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët, institucioneve dhe komunitetin e biznesit”, tha ajo.
Para votimit të së njëjtës, në debat u përfshi edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha se Qeveria Kuri ka më së paku merita për këtë marrëveshje.
“Qeveria Kurti ka më së paku merita për këtë marrëveshje. Në fakt është Qeveria Kurti që së paku e ka vonuar dy vjet realizimin e kësaj marrëveshje. Kjo ka filluar qysh në qeverinë Mustafa dhe presidentja Jahjaga ka merita të veçanta për inicimin e kësaj marrëveshje. Në qeverinë Mustafa kemi punuar gjatë në plotësimin e një liste të gjatë të kushteve për t’u kualifikuar në këtë lloj marrëdhënie kontraktuale me ShBA-të”, tha ai.
Nga ana tjetër, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, kritikoi kryeministrin Kurti për paraqitjen e tij në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes dhe, siç tha, thumbimet për opozitën.
“Po e them këtë se ai çuditërisht në rastin nënshkrimit dhe ceremonisë të marrëveshjes gjeti thumba për opozitën, duke thënë se po ndihet i mërzitur që bashkë me ministren Rizvanolli nuk do të jetë në njërën prej seancave të rralla kur opozita e mbështet qeverinë. Sot dua t’i them kryeministrit, që kjo opozitë jo vetëm që ka mbështetur projekte që janë në interes të qytetarëve të Kosovës, por vetëm sot, kjo opozitë i ka dhënë mbështetje dy marrëveshjeve të rëndësishme. Ai duhet të dijë se në Amerikë përfaqëson kryeministrin e Kosovës dhe nuk përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ajo.