Pas lëshimit të seancës nga partitë opozitare ka dështuar votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare por deputetët e shumicës e kanë vazhduar seancën me miratimin e pesë projektligjeve për shëndetësi.
Me 65 vota për, deputetët kanë miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për sigurimin shëndetësor, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shëndetësi, atë për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, Projektligjin për produkte dhe pajisje medicinale si dhe kanë miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shëndetësi publike.
Kryetarja e Komisionit për shëndetësi, Fatmire Kollçaku ka qartësuar se këto janë vetëm harmonizim me Ligjin për kundërvajtje.
“Pesë projektligjet, të cilat sot po votohen në fakt janë vetëm harmonizim me Ligjin për kundërvajtje që ishte obligim i Qeverisë, tani edhe Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pra, nuk bëhet për plotësim-ndryshim të ligjit në tërësi por vetëm tek pjesa që ka të bëjë me kundërvajtje”, ka thënë Kollçaku.