UBT News

​Kuvendi me seancë të jashtëzakonshme, diskutohet për situatën epidemiologjike me COVID-19

Numri i të infektuarve me COVID-19 javëve të fundit ka shënuar rritje duke shënuar shifra rekorde. Vetëm të mërkurën Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njoftoi se 4 mijë e 397 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.

Lidhur me situatën e epidemiologjike me COVID-19 do të mbahet edhe seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës. Pikë e rendit të ditës do të jetë debati parlamentar për gjendjen e pandemisë me COVID-19 në Kosovë. Seanca e jashtëzakonshme pritet të fillojë në orën 11:00.

Situata e rënduar pandemike në vend ka qenë shkak edhe që ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka raportuar të mërkurën para deputetëve të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Gjatë raportimit Latifi u shpreh se javëve të fundit vendi ynë po ballafaqohet me një rritje të shpejt të rasteve pozitive me dominim të variantit Omicron, por theksoi se krahas kësaj rritje numri i të hospitalizuarve në klinika dhe spitalet vazhdon të jetë i ulët.

Latifi paralajmëroi edhe mbylljen shkollave në rast të përkeqësimit të situatës pandemike, ndërsa u shpreh se vazhdimisht janë duke e përcjell gjendjen dhe nuk përjashtoi mundësinë e rishikimit të masave anti-COVID.

Latifi duke folur për situatën me COVID-19 u shpreh se Kosova sa i takon rasteve të vdekjeve ka më pak raste krahasuar me vendet e rajonit.

Kujtojmë se po ashtu për shkak të rritjes së rasteve pozitive, qeveria vendosi masat antiCOVID-19, të cilat kanë hyrë në fuqi me 22 janar. Masat do të vazhdojnë të jenë në fuqi deri më 4 shkurt.

E aktualisht në vend janë 25 mijë e 458 raste aktive me COVID-19. Numri më i lartë i rasteve pozitive është në Komunën e Prishtinës. 

Exit mobile version