Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në një seancë të re plenare, të caktuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, pasi që mbledhja e fundit e Kryesisë së Kuvendit të hënën dështoi të mbahej në mungesë të kuorumit. Sipas njoftimit, seanca do të mbahet nga ora 10:00.
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në këtë seancë deputetët pritet të votojnë në parim Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, Projektligjin për mbështetjen e punëve publike, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë. Në lexim të dytë ndërkaq, pritet të votohet Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Pikë e radhës e rendit të ditës do të jetë votimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës”, për të vijuar me shqyrtimin e Propozim-rezolutës kundër sulmeve ndaj integritetit seksual.
Seanca do t’u kthehet serish projektligjeve, për të shqyrtuar për herë të parë Projektligjin për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19, si dhe atë për vlerësimin e ndikimit në mjedis.
Punimet e seancës plenare do të vazhdojnë me shqyrtimin e raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021, shqyrtimin e rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të Përgjithshëm për Raportin vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021, shqyrtimin e Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2021, propozimin e GP “Multietnik” dhe GP të LVV-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, për të përfunduar me formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave.