UBT News

​Kuvendi Komunal në veri të Mitrovicës kërkon hapjen e urës mbi Ibër

Këshilltarët komunalë në veri të Mitrovicës e kanë miratuar kërkesën për hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi lumin Ibër. Kjo është bërë me propozimin e asamblistes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli. Kjo e fundit thotë se kërkesa ka qenë edhe e qytetarëve serbë.

Ajo thekson se pamundësia për të qarkulluar me vetura në këtë pjesë, u ka cenuar lirinë e lëvizjes dhe është shkaktuar kaos i madh.

“Kjo është një kërkesë e kamotshme e qytetarëve në veriun e Mitrovicës që jetojnë, po ashtu edhe të jugut. Rrjedhimisht është e drejtë e secilit person për të lëvizur lirshëm në qytetin e vet. Rrjedhimisht ura mbi lumin Ibër, e cila është e lirshme vetëm për këmbësorë po na e cenon edhe shumë lirinë e lëvizjes me vetura. Rrjedhimisht, prej kësaj kaos shumë i madh është i komunikacionit në veriun e Mitrovicës, sidomos tek pjesa e rrethit ku parkohen veturat, rrjedhimisht është e pamundur të ecësh, e lëre më të lëvizësh. Kjo ka qenë një kërkesë e qytetarëve e kamotshme dhe vazhdon të jetë gjithmonë”, thotë ajo.

Ajo shton se situata atje aktualisht është e qetë ndërsa komenton edhe deklaratën e Listës Serbe, të cilët kanë thënë se ky vendim do të ketë pasoja të mëdha për paqen dhe sigurinë.

“Mua më vjen keq të dëgjojë nga ta (Lista Serbe) këtë deklaratë, por gjithsesi kërkesa nuk ka qenë vetëm e qytetarëve shqiptarë, por ka qenë kërkesë edhe qytetarëve serbë, boshnjakë, turk që jetojnë në veriun e Mitrovicës. Rrjedhimisht kjo është e mirë për gjithë qytetarët dhe na i lehtëson shumë jetën neve”, përfundon ajo.

Lidhur me këtë vendim të autoriteteve lokale ende nuk ka ndonjë reagim nga Qeveria e Kosovës

Exit mobile version