Kuvendi i Komunës së Mitrovicës ka mbajtur sot seancë solemne për nder të shënimit të manifestimit Epopeja e UÇK-së.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, hapi seancën me një minutë heshtje për të përkujtuar të gjithë të rënët për lirinë e vendit.
Duke folur për ushtrinë çlirimtare, sakrificën e vendit për liri dhe shtetndërtim, ai tha se sundimi i një robërie të egër ndaj popullit shqiptar të Kosovës, u këputë përfundimisht më 12 qershor 1999.
Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e cila lindi nga gjiri i popullit, fitoi sepse bëri luftë të drejtë.
“Vragonjtë të një shekulli të gjatë të një sundimi e robërie të egër që e përjetoi populli ynë, u këputën përfundimisht më 12 qershor 1999, ditën kur forcat e NATO-s zbarkuan në Kosovë, e luftëtarët e lirisë hynë triumfalisht në qytetet tona. Ushtria Çlirimtare e cila lindi nga gjiri I popullit fitoi sepse bëri luftë të drejtë. Kjo është edhe një dëshmi se armiku sado ushtri të madhe pastë, sado që ka dhe përdorë armët më moderne, më në fund do të humbasë sepse bënë luftë të padrejtë”, ka thënë Kamberi.
Ndërsa, kryetari Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë fjalës së tij të rastit, tha se sot po përkujtohen njerëzit më të devotshëm të këtij vendi. Ai potencoi se njerëzit që kapën armët në duar për mbrojtjen e atdheut meritojnë përulje, duke thënë se ata të cilët dhanë jetën për liri, janë të pavdekshëm.
‘Sot kemi ardhur këtu për ti përkujtuar njerëzit më të devotshëm të këtij vendi. Njerëzit të cilët ditën t’i bëjnë ballë forcës agresore të shtetit okupues serb. Unë çdoherë kam thënë dhe them përsëri, secili që ka kap pushkën për me i dalë zot atdheut, unë ia heq kapelën, dhe u kemi borxh gjenerata të tëra që do të vinë pas, sepse falë këtyre burrave e grave, sot jemi të lirë, kemi institucionet tona dhe kemi shtetin tonë. Njeriu që vdes për liri, ai s’ka vdekur asnjëherë. Është rasti i familjes së madhe Jashari, që bëri luftë heroike tetë ditë radhazi”, tha Bahtiri.
Ai ka përmendur veç tjerash edhe siç u shpreh, njerëzit më të shtrenjtë të lirisë dhe themeltarët e saj, të cilët ndodhen në Hagë, e për të cilët tha se po mbahen padrejtësisht, duke kërkuar nga institucionet e vendit të bëjnë çmos për lirimin e tyre, sepse lufta e tyre ka qenë e pastër dhe e drejtë.
Ndryshe, pas seancës, të gjithë pjesëmarrësit vizituan varrezat e dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës, ndërsa për nder të kësaj epopeje, orët e para mësimore në të gjitha shkollat e kësaj komune u janë kushtuar ngjarjeve që ndërlidhen me epopenë e lavdishme të UÇK-së dhe familjen Jashari.