Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se ka moszbatim të vendimeve të Gjykatës lidhur me çështjen e Manastirit të Deçanit dhe atë të Kuvendit Komunal të Prizrenit.
Kushtetuta e Kosovës përcakton se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin si dhe për të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
Gjykata përmes mekanizmave të saj dhe në mënyrë periodike vlerëson zbatimin e aktgjykimeve të saj, dhe në rast të moszbatimit të një vendimi mund të lëshojë Aktvendim për mos përmbarim.
Kushtetuesja me këtë rast ka vendosur të njoftohet Prokurori i Shtetit përkitazi me dy Aktvendimet për Mospërmbarim.
“Gjykata rikthekson se, zbatimi i vendimeve të saj është detyrim për të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës bazuar në nenin 116 të Kushtetutës. Për më tepër, zbatimi i vendimeve përfundimtare është parim themelor i sundimit të ligjit, si vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, siç është përcaktuar me nenet 3 [Barazia para Ligjit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës”.